
Mesfushori i Teutës Roni Gashi është padyshim zbulimi i trajnerit Bledi Shkëmbi dhe njëri prej lojtarëve më cilësorë të Kategorisë Superiore. 20-vjeçari u transferua këtë verë në Shqipëri pasi Teuta zgjodhi Shkëmbin si teknik të ri të ekipit. Ai ishte bast i fituar i ish-futbollistit të Skënderbeut duke u kthyer brenda pak kohësh në njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të Teutës. Gashi u përshtat brenda pak kohësh me futbollin tonë. Bashkë me Sherif Kallakun, të dy kanë krijuar një dyshe dirigjuese në mesfushë duke komunikuar me "telepati" midis tyre.
Në një intervistë për Newsport, futbollisti i lindur në Prizren, Gashi vlerësoi maksimalisht kampionatin shqiptar. Ai rrëfeu se aftësia e lidershipit të teknikut Shkëmbi është fakti se Teuta hyn në fushë gjithmonë si fituese. Ndër të tjera, ai shtoi se Teuta e ka potencialin të luftojë për të kurorëzuar sezonin me titullin kampion.
-A e prisnit që Teuta do të arrinte rezultate befasuese këtë vit?
Me gjithë besimin e prisja që do tkishim një ecuri pozitive, derisa lojtarët të komponoheshin mes vete.
-Çfarë e bën skuadrën tuaj të dallojë nga ekipet e tjera të Superligës? Cilën veti do të veçoje?
Skuadra jonë ka karakter të fortë. Luajmë të githë për njëri-tjetrin. Jemi mbi të gjitha familje.
-Teuta ka regjistruar statistikat më të mira deri tani për sa i përket numrit të golave të shënuar (24). Ju keni regjistruar vetëm një gol deri tani. Ua kanë bërë kundërshtarët të vështirë për të gjetur golin apo ka qenë zgjedhja e teknikut Shkëmbi për të luajtur më i tërhequr?
Pozita ime është në qendër të mesfushës dhe në krah të djathtë. As për golat nuk mendoj ,në mendje kam ta ndihmoj ekipin.
-E mbyllët pjesën e parë të vitit në vend të tretë, 4 pikë më pak se Partizani kryesues. Në opinionin tënd, a e ka potencialin Teuta për t'i shkuar deri në fund luftës për titull?
Me çfarë kam parë në këto dy faza të gjitha ekipet ,mendoj se Teuta ka potencial për të luftuar për titull dhe në fund për t'ia dalë të shpallet kampion.
- Pas humbjes me Partizanin në fazën 3-0 në Tiranë, skuadra juaj u transformua plotësisht në fushë duke siguruar 11 ndeshje pa u mposhtur. Cili ishte çelësi i ndryshimit radikal të paraqitjeve tuaja? Çfarë ju kërkoi Shkëmbi pas asaj humbjeje?
Profesori Shkëmbi është një motivues mjaft i madh. Ai të bën para ndeshjes të jesh i bindur që do ta fitosh atë takim.
-Kë do të zgjidhje si ndeshjen më të bukur të këtij sezoni?
Ka shum ndeshje të bukëra që kemi luajtur. E tregon edhe vetë ecuria 11 ndeshje pa humbje. Unë do e veçoja ndeshjen në Korçë, ku luftuam jashtë mase edhe me një lojtar më pak dhe në fund arritëm ta fitonim takimin.
-Ke qenë pjesë e Shqipërisë U17. Nëse një ditë merr ftesë nga Kosova, do ta pranoje apo do ta refuzoje?
Për Kombëtare deri sa të vijë ndonje ftesë, nuk kam në mendje asgjë.
-Në lidhje me të ardhmen. Pas Teutës do të kërkoje direkt një eksperiencë të huaj apo do të pranoje të luaje për një skuadër tjetër të Kategorisë Superiore?
Normalisht që kam ardhur këtu, që Teuta të jetë një trampolinë për të arritur në Evropë.
-Ku dallon kampionati jonë nga Superliga e Kosovës?
Kampionati shqiptar nga ai kosovar ka dallime. Në Shqipëri luhet futboll më shumë taktik dhe ritmi lojës është më i lartë.
-A do të arrijë Kosova të kualifikohet në kampionatin europian të 2020?
Shpresoj të ketë paraqitje sa më të mira./Dario Velaj/.