
Kukësi po vijon me ritëm të lartë përgatitjet për finalen e Superkupës së Shqipërisë, programuar për tu luajtur në "Elbasan Arena" pasditen e 18 gushtit dhe ku si kundërshtarë do të ketë Partizanin.
Një rival i fortë ky, por për portierin e ardhur te verilindorët gjatë kësaj merkato vere, Ilir Avdyli, i kalueshëm. Gjithashtu, 29 vjeç pohoi se cilësitë që zotëron ekipi i Kukësit e bënë që të zgjedh nënkampionët, pasi gjithë karrierën e tij e ka "shpenzuar" duke luajtur për skuadra të mesit të tabelës, duke ironizuar në këtë mënyrë edhe Tiranën, ku luajti në vitin 2016.
"Që kur kam ardhur te Kukësi në fillim e kam menduar se do të vij momenti im. Se kur do të vijë, herët a vonë, por që jam duke punuar mjaft mirë, bashkë me kolegët dhe me stafin. Ekipi ka punuar mirë dhe besoj se do të më vijë rasti më shpejt nga sa e kisha menduar. Pres me padurim atë moment. E kam pritur gjatë gjithë kohës një ndeshje ku do të vinte një trofe dhe shpresoj që ta kalojmë në mënyrën më të mirë. Shpresoj shumë te ekipi, pasi ka shumë potencial dhe nuk do të jetë problem një ndeshje e tillë. Vetë këto gjëra që Kukësi ka më ka shtyrë edhe mua që të nis një aventurë të re, pasi kisha kohë që luaja me ekipe që pretendonin mesin e tabelës. Kjo të mban të karikuar gjithë kohës dhe mendoj se duhet ta nxjerr atë maksimumin tim në çdo ndeshje. Kjo është një mundësi shumë e mirë, pasi je gjatë gjithë kohës i përqendruar. "-deklaroi ish-gardiani i Tiranës e Kamzës.