Është gjithmonë aty ku është skuadra e Tiranës. "Në të mirë e në të keq", pasqyron gjithçka ndodh me ngjyrat bardheblu në kohë reale për të gjithë apasionuarit e futbollit, veçanërisht për tifozët e Tiranës.
Izmir Doda, fotografi i njohur bardheblu në një intervistë për newsport.al ka rrëfyer fillimet e tij, peripecitë e profesionit, dashurinë për "Tironën" siç e thotë ai dhe në fund jep një mesazh emocionues për ultrasit bardheblu.
Është i betuar që gjithmonë do të jetë në shërbim të Tiranës dhe nëse një ditë do t'i duhet të largohet, atëherë do të heqë përgjithmonë dorë duke i shërbyer futbollit.
Me profesionalizimin e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve shqiptare. Është i palodhur dhe gjithmonë kërkon më të mirën nga vetja e tij. Kurrë nuk kënaqet dhe siç thotë "Uroj ta kem shpërblyer besimin e drejtuesve", tregon që planet dhe dëshirat për ekipin më të titulluar në Shqipëri janë të mëdha.
- Izmir përshëndetje! Prej sa kohësh merresh me këtë profesion?
Përshëndetje dhe ju falënderoj për intervistën. Unë kam mbi 10 vite që ushtroj profesionin e fotografit, por jo vetëm. Fillimisht jam marrë me evente të ndryshme, jo me foto rreth sportit.
- Si iu lindi dëshira t'i shërbeje futbollit dhe konkretisht skuadrës së Tiranës?
Në vitin 2014 fillova të afrohesha me futbollin tek klubi i Korabit, asokohe ishte në Kategorinë e Dytë. Më pëlqeu si ide dhe nisi të më të tërhiqtë përditë e më shumë. Nisa të shkoja shumë shpesh pas Korabit, sidomos pasi u ngjit në Kategorinë e Parë.
Në janar të vitit 2015-tës luhej një miqësore mes Tiranës dhe Korabit. Aty pata kontaktet e para me drejtuesit e Tiranës. U pëlqeu mënyra e punës sime dhe më ofruan të bëhesha pjesë e Tiranës. Nuk hezitova, përkundrazi pranova menjëherë pasi jam edhe tifoz bardheblu. Dhe kështu vazhdoi gjithçka.
- Si është e mundur që një dibran të bëhet tifoz i Tiranës?
Është e vërtetë që dibranët në përgjithësi nuk janë tifoz të Tiranës, por ka edhe mbështetësa bardheblu siç jam edhe unë. Futbollin e kam ndjekur që në vegjëli, por në vitin 2001 skuadra e Tiranës më tërhoqi pasi ishte ekipi më i fortë në futbollin shqiptar.
- Jeni tifoz i 2001-shit?! Tifoz bardheblu lind, nuk bëhesh...
(Qesh) Mundësitë për të parë futboll më para kanë qenë të limituara. Unë Tironën e kam në zemër dhe kjo do të thotë që unë kam lindur për ngjyrat bardheblu.
- Më lart e thatë ndryshe. Tirana apo Tirona?
(Qesh) Lapsus. E ritheksoj. Jam tifoz bardheblu dhe unë si një ndër ta, "Tirona".
- Nëse do të kishe vetëm një zgjedhje, Tiranë apo Korabin?
Vazhdoj të kem miqësi me drejtuesit e Korabit, sidomos me Z. Fehmi Mëziu, i cili ka qenë pjesë e Korabit në momentin kur unë u afrova te klubi. Ai vazhdon të jetë pjesë e Korabit dhe jam gjithmonë në kontakt me të, duke i ofruar ndihmën time për çdo gjë që i nevojitem.
Tashmë jam te Tirona dhe dëshira ime është të jem pjesë e bardhebluve edhe në vijim. Uroj ta kem justifikuar besimin e drejtuesve për profilin që kam në klub.
- Cilat kanë qenë momentet më të vështira profesionale, por edhe emocionale përgjatë këtyre viteve me ngjyrat bardheblu?
Kam pasur vështirësi në fillimet e mia pasi Tirana ka qenë dhe është në qendër të vëmendjes në mediat sportive në vend. Çdo gjë e mirë pasqyrohet, por edhe gabimi më i vogel përbën lajm dhe është një përgjegjësi e madhe të jesh aty.
Sigurisht ka pasur momente të vështira pune sepse stadiumet tona nuk ofrojnë shumë kushte për mediat dhe kjo sjell vështirësi të mëdha, sidomos në vitin e fundit që kemi filluar me foto live gjatë ndeshjeve. Mungon interneti, gjëja kryesore për punën që bëj , megjithatë me disa sakrifica dhe falë mbështetjeve të drejtuesve të Tironës e kemi zgjidhur këtë problem.
Ana emocionale? Është e vështirë ta them edhe sot, por ndeshja e fundit vitin e kaluar në Shkodër ku diskutohej mbijetesa mes dy ekipeve historike në Shqipëri.
Kanë qenë 90 minutat më të vështira, ku në fund skuadra bardheblu matematikisht preku rënien një kategori më poshtë. Të përlotesh në ato momente ishte gjëja më e paktë. Ka qenë një moment që se kisha imagjinuar kurrë, por prandaj futbolli është sporti më i bukur në botë. Atëherë kur nuk e pret pëson "gol". Ndaj duhet të jemi gjithmonë të përgatitur.
- Kush është trajneri dhe lojtari më "qefli" për foto?
Po e nis fillimisht me futbollistët. Janë disa, por s'dua të përmend emra. Janë kryesisht lojtarët në moshë të re. Edhe ata që janë disi më të mëdhenj, por moshat e reja janë më të apasionuar pasi frekuentojnë më shumë edhe rrjetet sociale.
Ndërsa sa u përket trajnerëve, si te Korabi, ashtu edhe te Tirana kanë qenë seriozë në punën e tyre dhe nuk fokusoheshin shumë te fotot. Sigurisht edhe ata i donin, sepse fotografia mbetet një kujtim i bukur për çdo njeri.
- Po ndërhyjmë disi në kompetenca të tjera. Por, në pikëpamjen tënde, si është të punosh me trajnerin Ze Maria dhe nga ndryshon ai nga të tjerët?
Ze Maria edhe në momentin më të vështirë në historinë e klubit. Ai solli një frymë të re, një mënyrë pune europiane dhe një stil loje që unë e pëlqej shumë, sigurisht aq sa kuptoj. Futi në skuadër në skuadër një mentalitet fitues dhe arriti të rikthente entuziazmin.
Për mua është një trajner shumë profesionist. Edhe dy trajnerët e mëparshëm, Ilir Daja dhe Mirel Josa ishin shumë profesionistë. Janë ndër më të mirët në Shqipëri pasi kanë fituar shumë në Shqipëri. Tani po punojmë me Ze Marian dhe atij i pëlqen shumë ana mediatike. Kur shikon që çdo gjë është profesionale, shpesh herë na komplimenton.
- Më lart thatë që Ze Maria riktheu mentalitetin e fituesit. A ka nevojë një skuadër 24-herë kampione e Shqipërisë për diçka të tillë? Vetë fanela bardheblu ta jep luksin të shihesh si superiorë me tjerët...
Është e vërtetë. Ne jemi skuadra më e titulluar në Shqipëri dhe këtë e dinë të gjithë. Por, në momentin që ishim, pas ndeshjes kundër Vllaznisë, Ze Maria ishte trajneri i duhur. Dhe siç e kemi parë jemi një ekip për t'u pasur frikë.
- Ze Maria apo Ilir Daja?
Për mua janë të dy shumë të mirë dhe nuk dua t'i ndaj. Për mua të dy bëjnë lojë të bukur dhe vetë rezultatet e tyre e kanë treguar që janë trajnerë që çdo ekip do t'i donte t'i kishte në gjirin e tyre.
- "Tirana gjendet gabimisht aty ku është", thonë shumë... Ku duhej të ishte Tirana sipas Izmirit?
Po, kjo është shumë e vërtetë. Tirona është mësuar të jetë gjithmonë në garë për titull në Superligë. Është disi e çuditshme kur nuk e sheh në tabelën e Superligës në këtë sezon.
Po punojmë shumë të gjithë të rikthehemi sa më shpejt. Po bëjmë një punë sikur të ishim në Superligë, jo këtu ku jemi.
- Profesionalizmi juaj është i dukshëm. Kohë merkatoje është... A kemi ndonjë surprizë nga Izmiri apo përgjithmonë bardheblu?
Merkato është për futbollistët. Unë jam vetëm bardheblu. Nëse largohem nga Tirana, do largohem nga futbolli për t'iu përkushtuar pasionit tim në mënyra të tjera.
- "Kurrë mos thuaj kurrë" sepse Kombëtares asnjë nuk do t'i thoshte "Jo"...
(Qesh) Sigurisht jemi shqiptarë dhe për fanelën kuqezi të gjithë do të kontribuojmë. Nëse marr ftesë nga Kombëtarja do t'i mund t'i bëja të dyja, Tironën edhe kuqezinjtë.
- Në këtë intervistë, a ke diçka të fundit për të thënë?
Fillimisht dua të "zhvishem" nga 'petku' i punonjësit të klubit. Dua të përmend tifozët bardheblu të cilët janë më të mirët në Shqipëri. Unë së bashku me ta, ta mbështesim skuadrën për të kaluar sa më shpejt këtë sezon dhe të rikthehemi sa më shpejt në realitet. Dua të jemi të bashkuar siç kemi qenë gjithmonë. Dhe në fund, iu falënderoj ju që për herë të parë pata mundësi të them dhe unë atë që mendoj për futbollin dhe Tironën time. /Retin TOKA/