
Armando Sadiku ka pësuar një sëmundje të papritur gastroenteriti infektiv. Sulmuesi i Bolivar vuan nga stomaku dhe siç bën me dije Bolivar është një infeksion parazitar. Vetëm pak ditë para ndeshjes së Kupës Libertatores dhe nisjes për në Uruguaj, elbasanasi është në dyshim për duelin e parë.
Ka qenë vetë klubi nga Bolivia që ka bërë me dije gjendjen e sulmuesit, me testet e sotme që do vendosin edhe kohën e rikuperimit. Në varësi të tyre, Sadiku do duhet të qëndrojë deri në 72 orë larg stërvitjes. Duket se sëmundja nuk do përbëjë një problem për gjendjen shëndetësore të shqiptarit, me ekipin që do vendosë vetëm pak orë para nisjes për në Uruguaj (Montevideo) nëse Sadiku do udhëtojë me grupin ose jo.