
Ardit Hoxhaj nuk është më pjesë e Vllaznisë. Është vetë sulmuesi vlonjat që ka njoftuar divorcin me shkodranët. Prej disa vitesh me ngjyrat kuqeblu, Hoxhaj falënderon të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar. Në rrjetet sociale, anësori i fazës ofensive shkruante:
“Faleminderit KF Vllaznia! Nga sot dua të njoftoj largimin tim nga ekipi i Vllaznisë. Kanë qenë 3 vite plot sukses për mua dhe skuadrën. Jam i lumtur për ato që kemi arritur, edhe për trofetë që kemi fituar. Jam i lumtur për çdo gol që kam shënuar me këtë fanelë dhe për maksimumin e dhënë nga ana ime.
Falënderoj të gjithë personat që kam punuar në klub, shokët e skuadrës, tifozët për mbështetjen që më kanë dhënë dhe presidentit për mundësinë që më ka dhënë. I dëshiroj më të mirën klubit!”