
Kampionati u mbyll ditën e djeshme. Partizani rrëmbeu titullin kampion, Vllaznia siguroi Europën. Erzeni do të luajë “PlayOut” me Korabin, ndërsa Bylisi është skuadra e dytë që bie në Kategorinë e Parë.
Këto janë verdiktet e këtij sezoni në Abissnet Superiore. Përveç skuadrave u mësua edhe golashënuesi i këtij sezoni. Florent Hasani arriti të shënonte 16 gola, duke udhëhequr me 3 më shumë se rivali më i afërt i tij, Da Silva.
Sulmuesi bardheblu është në këtë mënyrë edhe “Këpuca e Artë” e Superiores për sezonin 2022-2023, i cili mori në dorë “frenat” e Tiranës pas largimit të Redon Xhixhës, duke u rikthyer në pikë referimi për sulmin e Orges Shehit.
Kujtojmë se Hasani u dënua nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës me 4 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet pas situatës së ndodhur në Rrogozhinë në sfidën me Bylisin.
Lista e 5 sulmuesve me më shumë gola në Superiore:
16 - Florent Hasani (Tirana)
13 - Da Silva (Partizani)
12 – Nonato (Erzeni)
11 – Dwamena (Egnatia)
11 – Guindo (Laçi)