Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka pranuar kërkesën e Tiranës për të konvertuar pjesën e mbetur të dënimit për lojtarin Bruno Lulaj duke e shlyer në këmbim të pagesës. Mbrojtësi ishte dënuar me 6 ndeshje mos-lojë pas episodeve në ndeshjen Tirana – Bylis në fundin e kampionatit të vjetshëm.
Lulaj ka shlyer deri tani 3 ndeshje dhe në bazë të rregullave të Federatës, klubi bardheblu ka të drejtë të paguajë gjysmën e mbetur të dënimit. Duke parë mungesat në skuadër me kapitenin Najdovski që është i pezulluar me 2 ndeshje, stafi teknik e sheh të detyrueshëm rikthimin e Bruno Lulajt, i cili pritet të jetë titullar në sfidën e sotme me Skënderbeun, në orën 15:00 në Selman Stërmasi.
Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 14.09.2023
Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar edhe në nenet 76 e vijues të KDS,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës së KF Tirana për konvertimin të pjesës së mbetur të dënimit për lojtarin Bruno Lulaj në bazë të nenit 75 të KDS.
Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.