
Partizani e nisi këtë sezon si pretendent kryesor për titullin kampion. Deri në javët e fundit të kuqtë ishin kandidatë për të rikthyer pas 24 vitesh titullin në kryeqytet, por barazimet me Kukësin, Laçin dhe Flamurtarin e kanë bërë thuajse të pamundur këtë objektiv.
Te 15-herë kampionët e Shqipërisë pritet të ketë revolucion nga pankina e deri te lojtarët. Me shumë gjasë Starova nuk do të jetë sezonin e ardhshëm në krye të të kuqve dhe vendin e tij flitet se do ta zërë një trajner i huaj.
Përpos trajnerit, zhvillime do të ketë edhe në organikën e futbollistëve. Kaleb Ekuban është lojtari për të cilin ka shumë interes, nëse do të qëndrojë ose jo edhe një sezon me Partizanin. Presidenti Demi ka theksuar që kanë nisur bisedimet për ta huazuar edhe një vit tjetër, por ende nuk është vendosur asgjë.
I sigurt duket largimi i Mathew Boniface. Ky i fundit erdhi me bujë, megjithëse nuk tregoi asgjë në skuadrën e Starovës. Zëra ka pasur për Agustin Torassën, por vështirë se drejtuesit do të lënë të largohet një lojtar me cilësitë që zotëron shtatshkurtri. Partizani në këtë merkato verore do të përqëndrohet kryesisht në vijën e parë të sulmit. Vetëm Sukaj nuk mjafton si sulmues pykë dhe priten afrime në këtë repart, ku nuk përjashtohen disa opsione nga tregu i huaj.
Në të gjithë merkaton e verës, rolin kryesor me shumë mundësi do ta luajë Luçiano Moxhi, i cili tashmë është në rolin e këshilltarit Gaz Demi. Eksperienca e madhe në futbollin europian, ku për disa vite me radhë ka qenë drejtor i Juventusit, do t'i ndihmojë të kuqtë me prurje që në fund mund të rezultojnë të suksesshme.
Megjithatë të gjitha këto do t'i mësojmë në javët e ardhshme, teksa ka mbetur edhe dy javë që Superiorja e sezonit 2016-2017 të ulë Siparin.