Bylisi mori një humbje 4-1 përballë Tiranës në Air Albania dhe zbret në vendin e tetë në Play-Out por rrezikon shumë të zbresi në vendet e fundit nëse Teuta dhe Kukësi arrijnë të fitojnë ndeshjet e tyre. Pas sfidës, trajneri Bellai foli për Oversport
"Kur ndeshja mbaron 4-1 me tre gola në pjesën e parë nuk mund të flasim për lojën e ekipit. U futëm me mendimin se e kishim humbur lojën. Të tjera thamë dhe të tjera bëmë. Tirana është ekip i mirë por nuk duhet t’i dorëzohemi kaq shumë.
Duke ditur që Xhixha, Patrick dhe Hasani janë të mirë e të shpejtë, ne gabuam shumë. Bëmë gabime amatore, janë lojtarë profesionistë prandaj paguhen. Më vjen keq. Më shumë bëjmë keq sesa mirë. Kur futesh në një stadium si ky ndihesh i emocionuar por në kampionatin shqiptar duhet të ndihesh i barabartë.
Xhixha që është lojtari më i mirë i kampionatit nuk u ndje fare pasi Trumci e markoi shumë mirë gjithsesi gabimet janë prezente. Gabime kam edhe unë sepse duhet të shikoja më mirë fillimi ne lojës. Duhet të marrim përgjegjesi pasi kemi një ndeshje me Vllazninë tashmë dhe duhet të ndihemi të barabartë. Po të japësh shpirtin në fushë do e arrish diçka.
Kur bëjmë stërvitje e bëjmë me intensitet, duhet të luajmë me dy takime. Kur i marrim golat tentojmë të jemi po njësoj. Të gjithë bëjmë gabime në lojë por nuk duhet të bëjmë gabime foshnjërake. Në futboll duhet të bësh sa më pak gabime por ne bëjmë më shumë."-tha trajneri.