
Dinamo – Teuta përfundoi me një përmbysje të çmendur të durrsakëve në sekondën e fundit. Dinamovitët shënuan të parët dy herë, por nuk arritën të mbronin rezultatin duke lënë 3 pikë të ‘sigurta’. Pas ndeshjes trajneri i bluve, Luigi di Biagio, dha dorëheqjen nga skuadra në prononcimin e tij për MCN TV.
"U tëhoqëm duke menaxhuar topin dhe të shënonim golin e tretë. Menduam se ndeshja kishte mbaruar parakohe dhe pësuam ato gola që pësuam.
Dorëheqja? Gjithë jetën kam qenë njeri i ndershëm, korrekt dhe i sinqertë dhe sot jap dorëheqjen në respekt të një klubi me histori si Dinamo. Ndoshta nuk kam arritur t’u transmetoj këtyre djemve atë që kisha, por në ndeshje duhet të bësh më shumë. Jam këtu për të falenderuar drejtuesit dhe klubin pasi është me histori të rëndësishme. Drejtuesit po bëjnë një punë të madhe për ta ringritur lart.
Gjatë gjithë karrierës sime kam patur ndershmërinë dhe sinqeritetin e për këto arsye heq dorë nga kontrata ime 2-vjeçare pasi nuk dua të jem peshë për klubin. Mendoj që në jetën e një njeriu, respekti dhe ndershmëria vlen më shumë sesa fitorja. Jam ndjerë mirë në Shqipëri dhe jam i emocionuar para jush sot. I vlerësoj shumë shqiptarët dhe më vjen keq që nuk arrita ta çoj në fund misionin tim."