Po aludohet gjithmonë e më shumë për një aleancë serioze mes Skënderbeut dhe Kukësit. Për inat të Partizanit. Ardjan Takaj dhe Safet Gjici kanë replikuar shpesh në distancë, por në fakt duket se janë miq. Dy presidentët më të suksesshëm të futbollit shqiptar në këtë periudhë janë parë bashkë në Francë për të ndjekur ndeshjet e Kombëtares, por aty duket se i ka rrënjët edhe aleanca, që po konkretizohet tashmë me huazimet e lojtarëve më të mirë të korçërve te kuksianët. Një aleancë, që newsport.al e ka paralajmëruar shumë kohë më parë.
QËLLIMI - Por qëllimi i drejtuesve të Skënderbeut, përveçse t'i japin një dorë Kukësit, është që të mbajnë në vitrinën e tregut europian "xhevahirët" e tyre, që shumë shpejt mund të shiten, pasi interesi ka qenë edhe më parë për ta, veçanërisht për Latifin. Kosovari dhe Lilaj mund të jenë shitjet e radhës për Skënderbeun në klube europiane, siç ndodhi sezonin që shkoi me Peter Olayinkën dhe Bernd Berishën. Duke qenë aktivë në ndeshet europiane, menaxherë të ndryshëm klubesh mund t'i peshkojnë dy lojtarët e Skënderbeut, që për një muaj do të jenë kuksianë. Së fundi ka dalë edhe emri i Fukuit për t'u huazuar te Kukësi, japonezit të ardhur në merkaton e verës te kampionët.