Muhamed Ismaili nga Shkupi është emëruar trajner i përfaqësueses shqiptare së hendbollit për meshkuj. Konfirmimi erdhi nga vetë Ismaili, i cili në të njëjtën kohë është edhe trajner i skuadrës KH Rinia nga Shkupi.
Emërimi i tij në krye të stolit të kombëtares shqiptare është rast historik, ndërsa ai është realizuar me kërkesë të presidentit të Federatës Shqiptare të Hendbollit, Nesim Jahollari.
Muhamed Ismailit bëhet shqiptari i parë nga Maqedonia që merr postin e trajnerit të parë në një ekip përfaqësues kuqezi, ndërsa me emërimin e tij Shqipëria pretendon të përmirësojë gjendjen e hendbollit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Muhamed Ismaili, seleksionues i Shqipërisë
“Kjo është ndjenjë e kahmotshme dhe e pritur dhe kuptohet që vjen pas eksperiencës 40-vjeçare në sportin e hendbollit. Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Hendbollit dhe në kontakt me presidentin Nesim Jahollari, me të cilin biseduam dhe e konfirmuam se unë do të jem unë përzgjedhës i Kombëtares së Shqipërisë. Kjo gjë është krenari dhe përgjegjësi për mua. Për këtë unë jam njeriu më i lumtur mes shqiptarëve”.
Me Ismailin në pankinë, Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Federatave në Zhvillim, që do të organizohet prej datës 12 deri më 18 Qershor në Bullgari. / Supersport