Ditën e djeshme në një spektakël të madh në “San Siro”, Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” bënë hapjen e tyre zyrtarisht. Në këtë turne merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga 4 skiatorët alpine.
Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dautido të mbajnë lart flamurin shqiptar dhe do të synojnë të shkruajnë historinë e Lojërave Olimpike. Por kush është Lisa Brunga, 17-vjeçarja që jeton në Kanada?
Ka lindur më 1 dhjetor 2008 në Kanada, ndërsa 17-vjeçarja me origjinë është nga Lezha. Lisa është e para shqiptare nga Kanadaja që merr pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Ajo është formuar në një nga sistemet më të mira të skive alpine në Amerikën e Veriut, ku që në fëmijëri ka treguar disiplinë të lartë stërvitore dhe rezultate të qëndrueshme në garat FIS.
Ditët e fundit ajo konfirmoi formën me dy rezultate shumë të mira në garat FIS, vend i tretë dhe vend i gjashtë në Slalom, rezultate që flasin për potencial real olimpik, jo për rastësi.
“Është shumë e rëndësishme për mua të përfaqësoj Shqipërinë, pasi është vendlindja e prindërve të mi dhe ndihem shumë e lumtur për këtë. Motoja ime për këto lojëra është: 'Skijo shpejt dhe shijoje'. Pritshmëritë e mia për këto lojëra janë të përfaqësoj Shqipërinë sa më mirë, të jap më të mirën time dhe të përfaqësoj me dinjitet Shqipërinë”, shprehej Lisa në një videoprezantim për Federatën Shqiptare të Skive. Kujtojmë se Lisa do të garojë më 18 shkurt, në Slalom, një disiplinë e preferuar për të.
