“Tifoz lind, nuk bëhesh”. Një shprehje e vjetër sa vetë futbolli, loja që bashkon miliona njerëz dhe ndez pasione pafund. Dhe kuptimin më të pastër kjo fjali e gjen te më të vegjlit, te ata që e duan ekipin pa llogari e pa kushte, thjesht sepse zemra u rreh në ato ngjyra.
Këtë paradite, një moment i thjeshtë në dukje mori kuptim të veçantë. Florian Pullazi, Kryetari i Njësisë Administrative Nr. 2, publikoi në rrjetet sociale një foto krah dy vajzave të tij të vogla. Të tre të veshur bardheblu, me buzëqeshjen që i jep tjetër hijeshi këtij imazhi.
Një shkrepje e çastit, por që thotë shumë: pasioni nuk imponohet, trashëgohet. Dy vogëlushet, krenare përkrah të atit, duken sikur kanë zgjedhur prej kohësh të jenë në të njëjtën anë, në atë të Tiranës.
Pikërisht kur skuadra po hyn në një kapitull të ri me Orges Shehin në pankinë, mesazhi vjen i qartë edhe nga jashtë fushës: mbështetja nuk mungon. Sepse tifozllëku nuk është vetëm 90 minuta në stadium. Është çdo ditë, në çdo ambient, qoftë edhe në një ashensor në kryeqytet, aty ku bardhebluja vishet me buzëqeshje fëmijësh.
Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur e dashurisë për futbollin. Ajo që lind herët dhe rritet bashkë me ëndrrat.
