
Krahas Goce Sedloskit, në konferencën e zakonshme për shtyp ka dalë edhe Erdenis Gurishta. Kapiteni i Vllaznisë vlerësoi Tiranën, ekip me të cilin do të përballen nesër në stadiumin “Loro Boriçi”.
Megjithatë ai është i bindur se skuadra e vet ka gjithë potencialin e duhur për t’ia dalë përballë publikut vendas. Përpara gazetarëve, Gurishta ka thënë:
“Nuk isha mësuar ta shikoja nga tribuna. Ishte ndeshja e parë ë mungoja këtë sezon për shkak kartonësh. Gjithsesi rikthehem për ta ndihmuar ekipin dhe për të marrë atë që të gjithë kërkojnë.
Trajneri - Afrimi i trajnerit të ri vjen në një moment që jemi nga fundi i kampionatit. Dhe nuk është e lehtë që vjen një trajneri i ri dhe të fusë idetë e tij te skuadra. Më vjen mirë që ekipi e ka kuptuar idenë e trajnerit për lojën dhe kjo është shumë pozitive, sepse në seanca stërvitore ka shumë optimizëm. Trajneri i ri nuk ka nevojë për më shumë komplimente. Duhet të tregojmë realisht se sa vlen ky trajner.
Ndeshjet - Në të tilla ndeshje nuk shikohet renditja dhe as diferenca e pikëve. Janë ndeshje që si tifozët në tribunë, si lojtarët në fushë që kanë kënaqësi ta luajnë, është një ndeshje që nuk ka favorit. E vendosin episodet. Ai ekip që gabon më pak e fiton ndeshjen. Nesër nuk do shihen ato 11 pikët diferencë, besoj se është një diferencë shumë e madhe, nesër do e tregoj fusha nëse ajo diferencë është reale apo jo.
Motivimi - Unë jam një djalë i motivuar, jo vetëm unë por gjithë ekipi. Duhet të jemi të përqendruar që të përballemi me të gjitha ato episodet që na shfaq ndeshja. Tirana është ekipi më i mirë i momentit. Nuk është kot në krye të tabelës. Ka sulmin më të mirë, por realisht ne nuk i kemi frikë. Tre ndeshjet e kaluara kundër Tiranës kemi marrë dy fitore një barazim. Kështu që realisht nuk duhet të kemi frikë, por duhet të futemi në fushë me besim dhe përqendrim. E vetmja zgjidhje është tre-pikëshi.
Tirana - Sigurisht që është një javë vendimtare. Ne kemi objektivat tonë, si në kampionat, si në Kupë. Duhet të realizojmë objektivat minimal që është Kupat e Europës. Duhet ta realizojmë nga kampionati, pastaj është edhe Kupa. Të përfundojmë ndeshjen me Tiranën, pastaj të mendojmë për Kupën.
Tifozët - Kërkoj nga tifozët që të vijnë në stadium, sepse ne realisht kemi nevojë për ata. E dinë shumë mirë rëndësinë e ndeshjes dhe uroj që në fund të ndeshjes t’ia shpërblejmë dhe të festojmë.
Kontratra - Jam shumë i përqendruar te ky kampionat. Të arrijmë objektivat. Është viti i fundit me Vllazninë. Kontrata ime mbaron në maj. Do mbaroj këtë kampionat dhe pas kësaj do ulemi e të flasim”, tha ai.
Ndeshja Vllaznia – Tirana do të luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 18:00.