
Partizani u mposht dje 3-2 nga Laçi, ndeshje e vlefshme për javën e 29-të të Superiores. Një sfidë që ka nxitur mjaft polemika për mënyrën se si shkoi takimi. Goli i barazimit nga Guindo,por edhe një ndërhyrje në zonën e kurbinasve ndaj Mba-së, ishin objekt moviole në studion e emisionit "Skaner".
Fillimisht u diskutua ndërhyrja ndaj sulmuesit Mba. Bujar Pregja u shpreh se nuk kishte të bënte me faull dhe penallti. Ndërsa pasi u rishikua disa herë, të pranishmit në panel vërejtën se janë në kushtet e penalltisë pasi afrikani ka shmangur kundërshtarin, ndërsa ky i fundit e ndal me faull.
Sakaq për golin e barazimit të Guindo-së, ku VAR-i mori plot 7 minuta për verdiktin, Pregja tha: "Për mua nuk është gol i rregullt. Sulmuesi i Laçit është në pozicion jashtë loje dhe duhej anuluar", përfundoi ai. Gjithashtu u diskutua dhe për një ndërhyrje nga pas të Guindo-së ndaj Mba-së, teksa Juxhin Xhaja e ndëshkoi me karton të verdhë.
"Për mua është prerje, gërshërë", tha Nevil Dede i mbështetur nga analiza e Starovës: "Në Shqipëri s'e jep kush, por në Europë ky është automatikisht karton i kuq". Duhet përmendur fakti se ishte vetëm fillimi i ndeshjes dhe me 10 lojtarë, përballja do të kishte rrjedhë tjetër.