U luajt ditën e sotme sfida e javës së 30-të të Superligës mes Laçit dhe Partizanit. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2, ndërsa në këtë takim nuk mungan as skenat e dhunës dhe ofendimet e tifozëve të Laçit që ndodhin në tribunë.
Partizani ka reaguar përmes një deklerate zyrtare për skenat e dhunës të ndodhur ditën e sotme në Laç. Zv.trajneri i skuadrës Ilir Bozhiqi u godit pas fundit të pjesës së parë me shishe nga tifozët që ishin në tribunë.
Duke parë këtë situatë, klubi i kuq përmes deklaratës zyrtare ka bërë me dije se në Laç nuk luhej futboll pasi gjatë gjithë kohës lojtarët dhe stafi janë ofenduar me fjalor banal dhe kjo është e papranueshme për një ndeshje futbolli.
Postimi i Partizanit:
DEKLARATË:
Të gjithë mezi po presim rikthimin e tifozëve në stadium por JO KËSHTU! Partizani gjithmonë ka kërkuar të luajë brenda respektit të rregullave të mikpritjes dhe ndershmërisë sportive dhe gjithçka t'ja lërë fushës së blertë. Sot nuk ka patur as rregull as fairplay dhe mbi të gjitha as qytetari. Jashtë çdo etike skuadra dhe stafi ynë është fyer për gjatë gjithë ndeshjes me një fjalor të turpshëm dhe të papranueshëm nga tifozët në tribunë. Megjithëse thjesht pjesmarrës dhe jo faktorë, në këtë moment ndjejmë përgjegjësinë të kërkojmë ndjesë ndaj të gjitha nënave e motrave, fëmijëve e të rritureve që kanë dëgjuar nëpërmjet ekranit sharjet e panumërta dhe mungesën e theksuar të etikës. Në të njejtën kohë përgëzojmë skuadrën dhe stafin që pavarësisht dhunës verbale konstante, tregoi karakter dhe arriti të menaxhonte një ndeshje futbolli në kushte ekstreme. Gjithashtu dënojmë në mënyrë absolute dhunën fizike në tribunë dhe fushë e sidomos atë që u pa në tv, goditjen me shishe në kokë në drejtim të trajnerit të portierëve tonë Ilir Bozhiqi nga tifozët. Distancohemi dhe dënojmë këto incidente që po prishin dhe mbase edhe po cënojne garën e fortë dhe të bukur që futbolli në vend po ofron këtë vit me shpresen se episode të tilla mos tolerohen e mos përsëriten më.Për këtë arsye i bëjmë thirrje si Federatës Shqiptare të Futbollit ashtu dhe Policisë së Shtetit të investigojnë dhe vënë para përgjegjësisë shkaktarët e këtyre akteve, si dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme organizative për mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive dhe shmangien e rasteve të tilla.
