
Sulejman Starova, pasi bëri një debat të gjatë me drejtorin e Tiranës, Arbi Laçi, u kthye duke bërë analizën e ndeshjes derbi të kryeqytetit, mes Partizanit dhe Tiranës. Në Pressing Bobi ka sqaruar edhe anën taktike në golin e Muçit, ndërsa Nevil Dede e ka quajtur "genocid taktik".
"Një pjesë e parë për t'u harruar e vitrinës së futbollit shqiptar. Një Tiranë që ishte në zotërim të topit më mirë se Partizani, një Partizan që u mbrojt thellë dhe nuk dilte dot në kundërsulm. Një lojë e shëmtuar e pjesës së parë.
Tirana u befasua në fillimin e pjesës së dytë, derbi u zbukurua pak në pjesën e dytë. Në të 79-ën, ka një rast për gol Tirana, një epërsi e lehtë. Në 82-ën, Bardhi ka një rast për të bërë 2-0. Tirana e priti deri në këto momente, deri në minutën e 92-të që bën golin.
Ky Idrizi që shpëtoi një rast të bukur, u hutua. Nuk u ndihmua nga Belica dhe Hoxha. Mungonte drejtimi nga stoli për të parandaluar këtë gabim që solli golin. Krosi është ballor, detyra e krahëve është të mbyllen gjë që nuk ndodhi. Ndaj them se ky gol ishte dhuratë e Partizanit për Tiranën, dhuratë taktike", tha Starova.
Ndërsa Nevil Dede, me një fjali, analizoi derbin duke bërë batutë: "Genocid taktik!"