
Etrit Berisha u shndërrua në personazh për Kombëtaren në takimin e djeshëm ndaj Izraelit. Portieri i Kombëtares ra "pre" e gjaknxehtësisë së momentit duke shtyrë me kokë sulmuesin kundërshtar, i cili e shfrytëzoi në maksimum gabimin e Berishës duke u shtrirë përtokë. Fitoi 11-metërsh dhe nxori me të kuq "gardianin" kuqezi.
Tashmë Etrit Berisha është e sigurt që do të mungojë kundër Italisë në transfertën që Shqipëria do të luajë më 24 mars të 2017-ës.
Por, dilema më e madhe është nëse portieri i Kombëtares do të penalizohet thjesht me një ndeshje mungesë në bazë të ndëshkimit teknik me karton të kuq, apo Komisioni i Disiplinës në FIFA do ta dënojë atë me masë disiplinore për "akte dhune". Nëse ndodh kjo e dyta, Etrit Berisha do të mungojë tri ndeshje për Kombëtaren.