Tirana është pranë titullit të 27-të kampion të “Abissnet Superiore”. Atmosfera në kampin bardheblu është mjaft pozitive. Klima festive duket se ka kaluar kufijtë e Shqipërisë duke “udhëtuar” deri në Kanadanë e largët.
Në Toronto jeton prej vitesh njeriu që i ka dhënë shumë këtij klubi, Indrit Fortuzi. I njohur me nofkën “Zogu”, Fortuzi shfaqet duke kërcyer me flamurin e Tiranës në duar. Edhe pse shumë vite larg Shqipërisë dhe botës mediatike për shkak të problemeve me drejtësinë, Fortuzi duket se nuk e harron skuadrën e zemrës.
Kjo foto vjen pikërisht në një moment të nxehtë siç është Superiorja me Tiranën që kryeson elitën me 63 pikë. Kujtojmë që Indrit Fortuzi është një nga legjendat e fazës ofensive të klubit bardheblu. Në vitet 2000, ai ishte sulmuesi kryesor i Superiores. Nofkën “Zogu” e mori pikërisht prej cilësive teknike, teksa shmangte gjithë mbrojtësit duke “fluturuar” i vetëm me portierin kundërshtar, ku sigurisht nuk gabonte asnjëherë.
