Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm në Kategorinë e Parë, Lushnja ia doli me sukses të ngjitet në Superligë.
Një "biletë" për në elitë, që skuadra myzeqare e "preu" pasditen e sotme në sfidën e fundit të Grupit B, pikërisht kundër Bylisit, ekipit rival për një vend në Superligë.
Fitorja 1-0 falë golit të sulmuesit Sefa i dha të drejtën Lushnjes për ta mbyllur në vend të parë në Grupin B të Kategorisë së Parë, ndërsa festa e tifozëve në stadium është spostuar sot në rrugët e qytetit të Lushnjes.
Gjithashtu, entuziazmi dhe festa ka qenë legjitime edhe në radhët e skuadrës verdhjeshile. Futbollistët dhe stafi teknik kanë festuar këtë arritje të merituar në një nga restorantet e qytetit.
Trajneri Artan Bano u ka lejuar lojtarëve disa birra më shumë për të festuar suksesin e ngjitjes në Superligë, ndërsa atmosfera ka qenë shumë pozitive.
Gjithashtu, newsport.al mëson se presidenca e klubit të Lushnjes ka vendosur një premio të lartë për skuadrën për ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Shpërblim që do t'iu kalojë lojtarëve dhe stafit teknik, ndonëse shifra nuk është bërë publike.