Shqipëria bëhet gati të ngrejë siparin e epokës së Sylvinhos teksa do të luajë ndeshjen e parë më 27 mars përballë Polonisë në kuadër të kualifikuesve për Euro2024. Kqezinjtë janë grumbulluar prej ditësh në Shtëpinë e Futbollit ku kanë nisur stërvitjet e para me brazilianin.
Grupit i janë bashkuar disa fytyra të reja që pritet t’i sjellin energji ndryshe Kombëtares. Tashmë janë zhvilluar tre ditë stërvitje dhe Sylvinho ka filluar të qartësojë idetë e tij për formacionin. Për shkak të minutave të pakta me klubet, dyshja që pritej titullare, Asllani dhe Bajrami mund ta nisin nga stoli dhe titullare mund të jetë treshja Abrashi, Ramadani dhe Laçi.
Përsa i përket sulmit, duket se Jasir Asani është i prirur ta bëjë debutimin e tij nga minuta e parë në krahun e djathtë. Pas golit të shënuar dje në stërvitje në ndeshjen mes grupit, anësori duket se ka bindur Sylvinhon. Surprizë mund të jetë Taulant Seferi në vend të Cikalleshit.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Berisha; Balliu, Kumbulla, Mihaj, Hysaj; Abrashi, Ramadani, Laçi; Asani, Seferi, Uzuni.
Trajner: Sylvinho