Kategoria Superiore uli siparin për javën e dhjetë të saj. Verdiktet u dhanë në fushë, ku vlen të veçohet fitorja 3-0 e Egnatias kundër Partizanit si dhe fitorja tenistike e Tiranës 4-1 me Kukësin.
Sikurse në çdo javë, Newsport.al ka zgjedhur 11 lojtarët më të mirë si dhe trajnerin fitues. Nga porta në sulm, njihuni me futbollistët që shkëlqyen dhe në një mënyrë ose tjetër dhanë kontribut në arritjen e rezultatit pozitiv.
FORMACIONI I JAVËS:
Mario Dajsinani – Laçi mori 3 pikë të rëndësishme në transfertën e vështirë të Durrësit duke mposhtur një rival direkt si Teuta. Kurbinasit e drejtuar nga trajneri Vukiçeviç iu falën aftësive të gardianit të tyre. Dajsinani arriti të priste një penallti në minutat shtesë të ndeshjes duke i mohuar festën Rubin Hebajt si dhe pikën “Djemve të Detit”. Padyshim një nga lojtarët më të spikatur të takimit.
Emiliano Musta – Piston në krahun e majtë të mbrojtjes. Çdo minutë i kudondodhur. Me trajnerin Shpëtim Duro, fiton gjithmonë “rininë e dytë”. Ndaj Partizanit ishte rrezik konstant për prapavijën e kuqe duke ia bërë të vështirë Andi Hadrojit, por edhe në mbrojtje i vendosur mjaft mirë. Po kalon një formë të mirë në këtë fazë të dytë të Superiores.
Jocelin Behiratche – Kur u përfshi sezonin e shkuar në formacionin titullar të Tiranës, të gjithë ishin skeptikë për cilësitë e afrikanit. Megjithatë trajneri Orges Shehi vijoi punën e tij duke mos dëgjuar përqark se çfarë thonin. Ndaj Kukësit, qendërmbrojtësi tregoi vlerat e tij jo vetëm në prapavijë, por edhe në fazën ofensive duke realizuar me kokë golin e dytë të takimit.
Sodiq Atanda – Sa shumë punë për qendërmbrojtësin e Egnatias. Me mision të veçantë kundër Partizanit, afrikani neutralizoi Xhuliano Skukën. Me dublazhin e Malotës, gjithçka u bë e vështirë për sulmuesin e kuq, i cili është një nga më të mirët e sezonit në Superiores. Në Rrogozhinë u pa krejtësisht në hije falë detyrave të zbatuara me përpikmëri pikërisht nga Atanda.
Esat Mala – Kur u zyrtarizua te Vllaznia, të gjithë thanë se shkodranët kanë fituar një lojtar cilësor. Dhe javë pas jave, shtashkurtri po tregon progres në performancën e tij. Linja e djathtë e fushës i takon krejtësisht atij. Edhe pse shkodranët barazuan 2-2 me Erzenin, Mala ishte në një ditë të mirë. Gol i shënuar dhe i kudo gjendur në fushën e blertë.
Donald Mëllugja – Ndaj Partizanit ishte mjaft i “karikuar”. Mesfushori zëvendësoi më se miri Hamzat që mungonte për shkak kartonësh. Arriti të fitonte çdo dyluftim me mesfushën e Partizanit duke i treguar të kuqve se kanë gabuar që e lanë të lirë. Kreu më së miri detyrat e dhëna nga trajneri Shpëtim Duro dhe arriti të merrte 3 pikë të rëndësishme në këtë sezon të vështirë të Superiores ku diferencat duken të vogla.
Arbin Zejnullai – Nëse Egnatia fitoi kundër Partizanit, padyshim që punën më të madhe e bëri mesfusha rrogozhinase duke nxjerrë totalisht në hije atë të të kuqve. 23-vjeçari nga Tetova realizoi golin e parë me fanelën e Egnatias duke i treguar drejtuesve se nuk kanë gabuar me të. Përgjatë gjithë 90 minutave vrapoi pa pushim dhe vulosi paraqitjen pozitive me golin e realizuar.
Amir Kahrimanovic – Të marrësh përsipër të godasësh një penallti në minutën e 100-të, këtë e bën vetëm mesfushori i Erzenit. Atëherë kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, shijakasit arritën të fitonin një 11-metërsh që u shndërrua në gol pikërisht nga Kahrimanoviç. 23-vjeçari bëri mirë në “Loro Boriçi” dhe në fund arriti t’i jepte një pikë me mjaft vlera skuadrës së tij.
Florent Hasani – Te Tirana është bast i fituar afrimi i tij në merkaton e verës. Askush nuk besoi, por fusha e blertë i ka dhënë të drejtë drejtuesve kampionë. Ndaj Kukësit realizon por është rrezik konstant gjatë gjithë takimit. Ndeshje pas ndeshje ka treguar progres në lojën e tij. Me Xhixhën dhe Patrick, janë shndërruar në një treshe e frikshme për gjithë kundërshtarët në Superiore.
Patrick Nonato – Shënon dhe ngushton diferencën në minutën e 75-të të takimit ndaj një Vllaznie që u duk se kishte gjithçka në dorë në shtëpinë e vet. Sulmuesi brazilian i Erzenit është gjithmonë aty, pranë portës kundërshtare. Goli i dytë i realizuar me shijakasit. Vrapon dhe gjen mirë hapësirat në mbrojtjen e Vllaznisë duke marrë me “vete” gjithmonë dy futbollistë.
Gabriel Morbeck – Çfarë ndeshje fantastike nga sulmuesi i Kastriotit. Jo vetëm që realizon nga pika e bardhë e penalltisë, por për t’i vënë kapakun, shënon edhe golin e tretë kundër Bylisit. Shtatlarti ka fituar besimin e stafit teknik dhe ia shpërbleu më së miri në ndeshjen e së shtunës kundër mallakastriotëve. Ndeshje për notën 10!
TRAJNERI SHPËTIM DURO
Të fitosh ndaj Partizanit të këtij sezoni dhe me të tillë thjeshtësi, e bën vetëm një trajner si Shpëtim Duro. Rrogozhinasit ishin dominues në fushën e blertë. Neutralizuan Ëngjëll Hotin dhe Xhuliano Skukën, duke zeruar gjithë investimin e bërë nga drejtuesit. 3 gola të shënuar ndaj një Partizani kryesues të këtij sezoni, tregojnë edhe një herë eksperiencën që ka Duro si trajner në elitë. Ia njeh mirë pikat e forta kundërshtarit, por edhe të dobëtat duke dhënë udhëzimet e tij. Padyshim trajneri i javës. Me 3 pikë të marra, fitorja e dytë radhazi në krye të Egnatias, i ngjit rrogozhinasit në vendin e katërt me 15 pikë, 4 më pak se Partizani i vendit të parë.
[caption id="attachment_665216" align="aligncenter" width="477"] Formacioni i javës së dhjetë[/caption]