Kategoria Superiore mbylli javën e 8-të elitës së futbollit shqiptar. Sfida interesante që prodhuan gola dhe ndryshime në renditje. Partizani dhe Kukësi dhuruan festival golash duke tundur 7 herë rrjetat në fitoren e të kuqve ndërsa Egnatia dhe Laçi fitojnë pastër ndaj Dinamos dhe Skënderbeut.
Supersfida e javës, Klasikja Vllaznia – Tirana përfundoi me fitoren e bardhebluve që rikthehen tek 3 pikët. Në derbin tjetër, Erzeni fitoi minimalisht ndaj Teutës.
Në gjithë këtë panoramë të javës së 8-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.
-FORMACIONI I JAVËS-
Mario DAJSINANI (Laçi) – Gardiani i kurbinasve mbajti portën e paprekur përballë Skënderbeut, ç’ka i dha skuadrës së tij qetësinë të shënonin 2 gola për të fituar pastër ndeshjen. Këtë sezon është rikthyer sërish në formën më të mirë.
Alessandro KACBUFI (Erzeni) – Heroi i shijakasve me golin e vetëm të sfidës. Nuk kishte si të mungonte teksa i jep fitoren Erzenit në derbi ndërsa vlerësohet edhe për paraqitjen në mbrojtje ku shpëtoi një top nga vija fatale.
Ajdi DAJKO (Laçi) – Është zbulimi i këtij sezoni. Në fakt është i rradhës për kurbinasit me 20-vjeçarin që ka vendosur emrin e tij si titullar absolut i bardhezinjve. Ndaj Skënderbeut ishte i pakalueshëm duke ndihmuar portierin Dajsinani ndërsa nuk heziton të nisë aksione vertikale.
Arbenit XHEMAJLI (Egnatia) – Një shtyll e gjatë dhe e palëkundur në mbrojtjen e rrogozhinasve. Sa vjen e tregon maturi, siguri dhe personalitet në prapavijë duke e bërë veten një prej liderëve të skuadrës. Sulmuesit e Dinamos thjesht strehoheshin nën hijen e tij.
Serxho UJKA (Laçi) – Motorri i mesfushës së Laçit. I kudondodhur në fushë, e fillon aksionin nga mbrojtja dhe e ndjek deri në ofensivë ku në ndeshjen me Skënderbeun rregjistroi edhe një asist. I merituar ky vend.
Florent HASANI (Tirana) – Ai është rreziku numër 1 i bardhebluve. Nuk zhgënjen në një ndeshje si Klasikja e futbollit shqiptar duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes në sekondën dhe prekjen e fundit të sfidës. Aksion vetjak i realizuar në mënyrë perfekte në golin e 3 pikëve.
Arbin ZEJNULLAI (Egnatia) – Një ‘kameleon’ i trajnerit Tetova, Zejnullai është nje nga lojtarët që lëviz më shumë në fushën e lojës duke ndërruar disa herë pozicionet me shokët e ekipit. Shkëlqeu me golin e shënuar duke merituar vendin në formacionin e javës.
Arinaldo RRAPAJ (Partizani) – Është ylli më i shndritshëm i Partizanit. Filtron çdo top dhe është pika e parë e pasimit sa herë që lojtarët e kuq ngrejnë kokën për të pasuar topin. Rregjistron një asist në fitoren e çmendur ndaj Kukësit.
Sebastian SPAHIU (Egnatia) – Dilte në krahun e majtë, rrezikonte Markun, dilte në krahun e djathtë, rrezikonte Allmuçën. Spahiu ishte i pandalshëm në ndeshjen e rrogozhinasve duke qenë rreziku numër një ndaj dinamovitëve teksa shërbeu edhe një asist në fitoren 3-0.
Gytis PAULASKAS (Egnatia) – Ndoshta nuk ka cilësitë e Raphael Dwamens, por askush nuk i ka në Superiore. Bomberi lituanez nuk është nga ata emra që thërritet me të madhe, por ka shënuar disa gola të rëndësishëm këtë sezon për rrogozhinasit. Rrjeta ndaj Dinamos thuajse vulosi fitoren ndërsa vlerësohet edhe performanca e mirë gjatë gjithë lojës duke qenë një ‘spont’ për lojtarë si Spahiu, Zejnullai e Isgandarli.
Archange BINTSOUKA (Partizani) – Më i miri i kësaj jave. Çfarë mund t’i thuash një lojtari që shënon 3-golësh në një ndeshje të Superiores. Partizani pret akoma Mba-në, por Bintsouka është ai që po shënon gola nga ndeshja në ndeshje.
Trajner: Mirel JOSA (Laçi) – Me uljen e tij në stol Laçi ka marrë një fytyrë tjetër. Lojë fluide, e qartë, e pastër, e bukur për t’u parë dhe produktive. Laçi i tij i shënon 2 gola Skënderbeut, ruan portën e paprekur dhe ngjitet në vendin e dytë në Superiore.