Kategoria Superiore uli “siparin” për javën e 5-të të Superiores. Duele dhe sfida interesante që vendosën verdiktet e tyre. Surpriza më e madhe ishte Erzeni i cili mposhti Tiranën kryesuese në ‘Selman Stërmasi’ ndërsa Kukësi merr fitoren dhe pikët e para këtë sezon pasi fitoi me Skënderbeun në transfertë.
Partizani shkëlqeu në derbin me Dinamon duke fituar 1-3 ndërsa një ndeshje të luftuar pamë në Rrogozhinë ku Egnatia mposhti Laçin që nuk dorëzohej deri në minutën e fundit. Vllaznia merr një fitore komode me rezultat të pastër 2-0 ndaj Teutës në shtëpi.
Në gjithë këtë panoramë të javës së 5-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.
FORMACIONI I JAVËS:
Klevis Hasanbelli (Erzeni): Në Shijak besojnë te cilësitë e gardianit 26-vjeçar. Emri i Hasanbellit u vu për herë të parë si titullarë këtë sezon në 1 javë më parë ndërsa me Tiranën ishte e dyta nga minuta e parë. Portieri ia doli të shpërblejë besimin e trajnerit Deliallisi i cili la në stol një veteran me eksperiencë si Xhika. Hasanbelli ishte i pakalueshëm për sulmuesit e Tiranës.
Bekim Maliqi (Erzeni): Çfarë mund të themi për këtë djalosh.Është lojtari më i mirë i Erzenit në këto javë të para. Me Tiranën shënoi golin e 3-të këtë sezon edhe pse luan si anësor i djathtë në 5-shen e mesfushës. Një 22-vjeçar me plot potencial, talent dhe përgjegjësi në fushën e lojës.
Nehar Sadiki (Erzeni): Është shtyllë në mbrojtje. Të gjitha topat e lartë të Tiranës u fituan nga Sadiki duke qenë një arsye e fortë pse shijakasit e mbyllën me portën e paprekur ndeshjen. I padepërtueshëm, i pakalueshëm.
Endri Reçi (Kukësi): Supergoli i javës i takon atij. Mbrojtësi i ri i Kukësit i dha fitoren dhe pikët e para verilindorëve në ndeshjen me Skënderbeun. Ajo silurë nga mesi i fushës do të mbahet mend gjatë nga ai. Nuk kishte si të mungonte në formacionin e javës.
Xhevahir Asani (Vllaznia): Duhej ta niste ndeshjen nga stoli, por një dëmtim i minutave të fundit të Hakajt bëri që të hiqte jelekun e zëvëndësuesit e të futej titullar ndaj Teutës. Një ndeshje e mirë për të me nota pozitive. Kreu detyrat e tij, bllokoi krahun e majtë dhe ndihmoi në ofensivë.
Adnard Mehmeti (Partizani): Me futjen e tij në fushë Partizani ndryshoi fytyrë. Është 22-vjeç por ka shumë personalitet në fushë. Arriti të bllokonte thuajse të gjitha aksionet e Dinamos dhe ishte i pari që niste skuadrën përpara.
Amir Kahrimanovic (Erzeni): Është një lider në fushën e lojës. Kroati mban mbi supet e tij përgjegjësitë e aksioneve të Erzenit. Kura i luan mirë, ekipi luan mirë, kur ai luan keq, ekipi luan keq. Ndaj Tiranës e fillonte aksionin në mbrojtje dhe në të njëjtin aksion e mbyllte në sulm. I kudondodhur në mesin e fushës.
Arinaldo Rrapaj (Partizani): Sa talent ka ky djalosh! Me topin në këmbë mund të bëjë gjithçka, të godasë, të pasojë, të driblojë. Ndaj Dinamos shënoi një tjetër gol deciziv duke qenë padyshim lojtari i ndeshjes, ndoshta edhe i javës në Superiore. Është fantastik!
Victor Da Silva (Partizani): ‘Ngatërrestari’ i Partizanit hyri në fushë dhe vulosi fitoren. Ashtu si Mehmeti, futja e tij në fushë i dha një tjetër marsh të kuqve që dominuan mesfushën dhe ishin shumë të qartë në finalizim. Gol dhe asist në 45 minuta lojë, ç’mund t’i kërkosh më shumë?
Bekim Balaj (Vllaznia): Kapiten me plot gojë. Këtë sezon është kthyer në liderin e Vllaznisë dhe po kalon një formë shumë të mirë. Dy gola të shënuar ndaj Teutës, të vetmit e ndeshjes që i dhanë 3 pikë të arta shkodranëve në garën për 4 vendet e para. Rrezik konstant në lojën në ajër dhe i aftë të mbajë 2 lojtarë kundërshtar. Duket si ai Balaj i dikurshëm.
Raphael Dwamena (Egnata): Bashkë me Bekim Balajn janë golashënuesit e Superiores me 5 gola dhe kapitenët e skuadrave të tyre. Sulmuesi ganez i ka ‘shokët e rrallë’, një lojtar si ai është luks në Superiore. Ndaj Laçit shënoi golin e rradhës duke zhbllokuar rezultatin, por gjatë momentit të goditjes u dëmtua në përplasje me kundërshtarin. Minutat në vijim u kujdes për veten e tij derisa u zëvëndësua në të 72-tën, por kur ka topin në këmbë, Egnatia merr frymë.
Trajner: Alfred Deliallisi (Erzeni): Pa më të voglin dyshim është trajneri i javës. Përgatiti në perfeksion ndeshjen përballë kryesuesve të Tiranës. Erzeni i tij u paraqit si një skuadër kompakte, e rrjedhshme, e pakalueshme dhe cinike. Tirana është nga ata ekipe që e ka thuajse të pamundur të mos shënojë një gol në një ndeshje, por ndaj Erzenit nuk ishte e aftë të rrezikonte kuadratin, në përjashtim të 2 rasteve në fundin e ndeshjes.