Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 32-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria Superiore mbylli javën e 32-të të saj. Një javë interesnate cila nuk ka ndryshuar pozitat në renditje por i ka dhënë një shije tjetër ndeshjeve të javës pasuese. Teuta është kryefjala e kësaj jave teksa i dha një goditje të fortë Tiranës në garën për titull. Humbja e bardhebluve dhe fitorja e Partizanit bëjnë që derbi i 17 majit të jetë një finale me titullin kampion në “pjatë”.

Në gjithë këtë panoramë të javës së 32-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.

FORMACIONI I JAVËS:

Gentian SELMANI (Laçi) – Gardiani i kurbinasve ka marrë rolin e liderit në skuadër, kjo edhe nga eksperienca e tij e mëparshme me bardhezinjtë. Ndaj Erzenit ndali disa herë goditjet e kundërshtarëve dhe të mos ishte për Nonaton, i cili nuhati mirë topin, pritja e Selmanit në goditjen e Mehmetit mund të ishte pritja e javës në Superiore. Por, për fatin e tij të keq, ky moment u eklipsua nga sulmuesi brazilian që pak metra larg dërgoi topin në rrjetë.

Albion MARKU (Teuta) – Kur ai u ndez, u ndez edhe Teuta. Në momentin kur askush nuk priste ndonjë gjë të madhe nga durrsakët, është Albion Marku që shpërthen në krahun e djathtë dhe shtron një top në zonë për Emiliano Vilën i cili sjell baraspeshën ndaj Tiranës. Mbrojtësi i krahut iu desh të bënte i vetëm të gjithë aksin e djathtë dhe pas më shumë se 90 minutave, mund të themi që realizoi një ndeshje të suksesshme.

Renato MALOTA (Egnatia) – Në një ekip me të rinj të etur për sukses, Malota është ai që sjell eksperiencën e tij. Mjeshtër i Superiores dhe një lider i rrogozhinasve. Ndaj Bylisit nuk pati shumë punë në mbrojtje me ballshiotët që mbetën me 10 lojtarë në pjesën e parë. Mirëpo, ai diti si të bëhej protagonist teksa si një sulmues i vërtetë do të nuhaste topin në zonë dhe ta dërgonte në rrjetë për golin e parë.

Alexandros KOUROS (Teuta) – Hyri si kapiten në fushën e lojës dhe doli si i tillë duke dhënë gjithçka për ekipin e tij. Kishte një detyrë shumë të vështirë, të markonte kryegolashënuesin e kampionatit, Florent Hasanin. Këtë detyrë e kreu mjaft mirë me anësorin e Tiranës që zhvilloi një ndeshje për t’u harruar. U desh vetëm një përplasje e fortë që ta largonte nga fusha e lojës pas ndërhyrjes së dy ekipeve mjekësore të dy skuadrave. Në momentin e largimit, mori duartrokitjet e publikut të tij.

Esin HAKAJ (Vllaznia) – Në mungesën e Gurishtës shiriti i kapitenit u kalua në krahun e Hakajt. Është një nga më të mirët e Superiores në krahun e tij. Përballë Kastriotit ishte ndër më të mirët e shkodranëve teksa duhet të jepte diçka më shumë pasi kuqeblutë mbetën me 10 lojtarë. Hakaj ia doli të bënte një performancë solide teksa asistoi dhe ishte protagonsit edhe në golin e dytë.

Stiven BIBO (Laçi) – Ashtu si pa shumë zhurmë, "urtë e butë", erdhi te ekipi i parë i Laçit dhe në dy ndeshjet e fundit shënoi dy gola. 19-vjeç dhe vjen e prezantohet në mënyrën më të mirë. Një mesfushor modern të cilin tifozët e Laçit, me shaka, e krahasojnë me Marco Asension. Deri tani tregon që ka potencial për më shumë por mbetet të shohim nëse do të jetë Bibo, prodhimi i ri i Laçit.

Ledio BEQJA (Teuta) – Është thjeshtë fantastik, mund të jetë ndoshta lojtari më i nënvlerësuar i Superiores. Luan përpara mbrojtjes dhe jep maksimumin në fushën e lojës. Ndaj Tiranës nuk lodhej kurrë, para-mbrapa fitoi duelet me disa nga rivalët e tij bardheblu.

Emiliano VILA (Teuta) – Mosha për të është thjeshtë një numër. Sa vjen edhe tregon që futbolli për të mbaron kur e thotë vetë ai dhe deri tani ka treguar që nuk është aspak e lehtë t’i zëshë vendin. Ndaj Tiranës është gjithmonë një sfidë me një marsh më tepër për të. Kur Albion Marku nisi sprintin në krahun e djathtë, Vila me eksperiencën e tij nuhati mirë përfundimin e aksionit dhe u gjend bosh në zonë ku tundi rrjetën për golin e barazimit.

Redi KASA (Egnatia) – Erdhi në merkaton e janarit dhe sëbashku me Dëamenan kanë marrë për dore skuadrën e Egnatias. Një djalosh i talentuar që në fushën e lojës tregon se ka diçka më shumë se të tjerët. Kundër Bylisit hyri në fushë në pjesën e dytë dhe menjëherë u kthye në protagonist teksa shënoi edhe golin e dytë dhe të fitores për rrogozhinasit.

REGINALDO Fait (Kastrioti) – Fitoi penallti, i dha karton të kuq kundërshtarit dhe e ktheu në gol. Çfarë mund t’i kërkosh më shumë një sulmuesi. Ndaj Vllaznisë, me eksperiencën e tij, ishte një rrezik mes mbrojtësve shkodran. Kastrioti i tij për fat të keq nuk ia doli të merrte një fitore por 1 pikë nuk është aspak e keqe.

Victor DA SILVA (Partizani) – Lojtari më i mirë i javës së 32-të të Superiores. Braziliani po merr për dore Partizanin në javët e fundit. Nga ai pritet shumë dhe fantazisti në këtë fund sezoni po jep atë që kërkon edhe tifozëria e kuqe. Dygolëshi ndaj Kukësit i jep 3 pikë jetike “demave” teksa tani bëhen gati për derbin ndaj Tiranës, aty ku Da Silva nuk mund të mungojë në formacionin startues.

Trajner: Edi MARTINI (Teuta) – “Sikur të luanim gjithmonë me Tiranën, do dilnim kampion”, këto ishin fjalët e teknikut të Teutës pas përfundimit të ndeshjes. Nuk i hiqet asnjë presje sepse këtë sezon i kanë marrë plot 9 pikë bardhebluve. Në Niko Dovana fitoi duelin e pankinave me homologun Orges Shehi dhe në momentin më deciziv të një ndeshje futbolli, minutat e fundit, Martini “mblodhi” skuadrën e tij dhe i dha goditjen më të rëndë kampionëve në fuqi, një humbje para derbit.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga