Kategoria Superiore uli “siparin” për javën e 31-të të saj. Duele dhe rezultate interesante që kanë lëvizur ujërat në kampionat. Tirana e Partizani bëjnë “detyrat” teksa fitojnë me Kastriotin dhe Erzenin ndërsa surpriza e javës mund të quhet Egnatia që turpëroi Vllazninë në Shkodër me fitorne 0-4.
Në gjithë këtë panoramë të javës së 31-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.
FORMACIONI I JAVËS:
Pano QIRKO (Teuta) – Gardiani i Teutës është shpeshherë prezent në formacionin e javës. Ndaj Kukësit neutralizoi disa goditje të rrezikshme duke bërë që porta të ruhej e paprekur. Protagonist i rëndësishëm në pikën e fituar nga bregdetarët në Kukës.
Milos STOJANOVIC (Kastrioti) – Krutanët kishin përballë kryesuesit e kampionatit, Tiranën. Një ndeshje shumë e vështirë por që iu bë “yzmeti” të paktën deri pak minuta para fundit. Bardheblutë kontrolluan lojën duke patur edhe disa shanse shënimi por Stojanovic ndodhej gjithmonë aty ku topi binte dhe spastronte zonën e tij. I pathyeshëm në lojën në ajër dhe nuk u kalua asnjëherë në duelet tokësore.
Bruno TELUSHI (Partizani) – Pozita e re duket se i shkon mjaft mirë. Dikur i thonin ushtar, por tani me plot gojë është “graduar” gjeneral. Nga prapavija është siguri e shtuar e Partizanit dhe udhëheq skuadrën e tij me pasimet përpara. Një trajner i dytë në fushën e lojës dhe një mentor për Prekën dhe Sotën, në treshen e mbrojtjes.
Albano ALEKSI (Tirana) – Njëjtë si ai më sipër, Aleksi është “sozia” e Telushit te Tirana. Lider i padiskutueshëm i bardhebluve. Sido që të jetë rezultati, sado i madh të jetë presioni, Aleksi asnjëherë nuk del nga vetja e tij dhe është ai tek i cili “fshihen” pas lojtarët e Tiranës. Shehi e sheh si trajner të dytë në fushë dhe ndaj Kastriotit zhvilloi një ndeshje solide ku shkatërroi disa aksione të rrezikshme të krutanëve.
Donald MËLLUGJA (Egnatia) – Ai gol i shënuar ishte një perlë e vërtetë, me siguri do e shohim në fund të sezonit si një nga kandidatët për golin më të bukur. Protagonist absolut në fitoren spektakolare të rrogozhinasve ndaj Vllaznisë teksa hapi goleadën me gol por asistoi edhe për të dytin, duke vënë menjëherë vulën në Shkodër.
Mario BARJAMAJ (Laçi) – Duket se është prodhimi i rradhës i klubit kurbinas. Mesfushori i krahut ishte i kudondodhur në sfidën ndaj Bylisit. Në mungesë të Mazrekajt mori iniciativën për ndërtimin e aksioneve sulmuese të skuadrës dhe zhvilloi një performancë mjaft të mirë. I merituar vendi në formacionin e javës.
Valentino MURATAJ (Partizani) – Motori i ekipit të Colellës. Ndaj Erzenit e shikoje në nisje të aksionit dhe e shihje përsëri në fund të tij. Një lojtar që nuk lodhet kurrë dhe jep maksimumin deri në fërshëllimën e fundit. Me largimin e Hadrojt, iu desh të bënte edhe mbrojtësin e krahut. Asnjë problem për të teksa neutralizoi mesfushën e shijakasve. Në fushë duket sikur ka 3 mushkri.
FERNANDO Medeiros (Egnatia) – Kur është në ditën e tij, thjeshtë dhuron shfaqje në fushën e lojës. Kënaqësi ta shohesh teksa ledhaton topin në çdo prekje të tij. Ndaj Vllaznisë ishte një nga autorët e golave por meritat kryesore i ka në ndërtimin e lojës së Egnatias. Luan mes linjave dhe me një top të thjeshtë mund të nxjerrë bllof gjithë repartin e mesfushës së shkodranëve.
Florijan KADRIU (Erzeni) – Të vjen keq të shohësh një lojtar që jep më shumë se 100% në një ndeshje dhe në fund të dalë pa asnjë pikë. Kadriu ishte i tillë ndaj Partizanit. Bën i vetëm krahun e majtë, punë që kërkon shumë energji por këto energji ai i ka të pashtershme. Rrezik konstant, ndoshta i vetmi nga shijakasit që “frikësonte” Partizanin.
JACKSON Laurentino (Egnatia) – Bashkë me Fernandon, kanë sjellë samban brazilianw në Rrogozhinë. Nga spektakli i tyre nuk po shijojnë vetëm dashamirësit e Egnatias por të gjithë ata që u pëlqen futbolli i bukur. Ndaj Vllaznisë shënoi golin e Knock Out-it por vlen të përmendet edhe loja e tij prapa Dwamenas. Vallëzon mes lojtarëve shkodran.
Raphael DWAMENA (Egnatia) – Fjalët janë të tepërta për një lojtar të tillë. Jemi me fat... me shumë fat, që e kemi në Superiore. Aseti më i madh i Egnatias dhe tmerr për çdo kundërshtar. Ndaj Vllaznisë terrorizoi mbrojten e tyre duke shënuar një gol identik si ai në Kupë. U lë targën mbrojtësve, driblon edhe portierin e në fund dërgon topin në rrjetë. Sa për informacion, dha edhe 2 asiste, çfarë mund t’i kërkosh më shumë?
Trajner: Edlir TETOVA (Egnatia) – Ndaj Vllaznisë mund të jetë ndoshta ndeshja më e mirë që kanë zhvilluar që prej rikthimit në elitën e futbollit shqiptar. Egnatia nuk mund të quhet surprizë e kampionatit pasi investimet janë bërë pikërisht për këtë moment por surprizë mund të quhet ky lloj futbolli që po luhet nga ekipi i Tetovës. 20 minutat e para e nisëm me vështirësi, ndoshta ishte thjeshtë një “studim” i kundërshtarit por që në momentin e golit të Mëllugjës, rrogozhinasit dominuan edhe detajet më të vogla. Egnatia e Tetovës thjesht dhuroi art në qytetin e artit dhe kulturës.