Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 27-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria Superiore uli “siparin” për javën e 27-të të Superiores. Duele dhe sfida interesante që vendosën verdiktet e tyre. Tirana fitoi me Erzenin, sikurse Partizani ndaj Teutës. Kastrioti arriti të merrte një triumf spektakolar ndaj Laçit për 3 pikë të arta mbijetese.

Ndërkohë surprizë ishte barazimi i Vllaznisë në shtëpi me Bylisin. Në gjithë këtë panoramë të javës së 27-të të elitës, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.

FORMACIONI I JAVËS:

Bekim REXHEPI – Partizani fitoi 2-0 ndaj Teutës, sfidë e vlefshme për javën e 27-të të Superiores. Një ndeshje e bukur, ku shkëlqeu veçanërisht portieri i Partizanit, Bekim Rexhepi. “Gardiani” i të kuqve u bë makth për vendasit duke shpëtuar në disa herë portën e tij nga gola të sigurtë.

Adolf SELMANI – Çfarë fitoreje dramatike nga Kastrioti. Krutanët luanin për “jetë a vdekje” ndaj Laçit dhe arritën t’ia dilnin në minutat shtesë. Qendërmbrojtësi i njohur ishte i pakalueshëm në prapavijë. Ka arritur të fitojë rolin e liderit dhe është pikërisht ai që nis aksionet e Kastriotit.

Filip NAJDOVSKI – Kur mbrojtja e Tiranës funksionon, rezultati është gjithmonë pozitiv. Najdovski ishte dje në një ditë të mirë duke justifikuar dhe shiritin e kapitenit në krah. Shkëlqeu kundër shijakasve duke u shndërruar në “mur” për kampionët e Shqipërisë.

Mevlan ADILI – “Nuk e di pse më larguan nga Vllaznia”, deklaroi pas ndeshjes me shkodranët. Qendërmbrojtësi i Bylisit po kalon një formë të mirë dhe në sfidën ndaj kuqebluve, ishte ndër më të mirët në fushë. Jo vetëm ndalonte aksionet e kundërshtarit, por u shfaq disa herë dhe në sulm duke provuar me goditje nga distanca.

Redon MIHANA – U afrua te Kastrioti në merkaton e dimrit dhe po shpërblen më së miri besimin e stafit teknik. Një nga lojtarët e cilësuar si talent i kampionatit shqiptar dha kontributin e tij në fitoren 2-1 të krutanëve kundër Laçit. Në krah është fantastik. Mbron kur duhet dhe mjaft i rrezikshëm në sulmet e tij. Arriti të shënojë dhe golin e parë për Kastriotin.

Lorran de OLIVIERA – Bylis ndali Vllazninë në “Loro Boriçi” duke i marrë 1 pikë mjaft të rëndësishme. Ekipi i drejtuar nga Naxhi Shensoi tregoi edhe një herë se do t’i hapë punë deri në fund çdo ekipi të Superiores. Braizliani Lorran ishte një motorr i vërtetë për mallakastriotët duke neutralizuar plotësisht mesfushën e Vllaznisë.

Emiliano MUSTA – Provoi të shënonte golin e sezonit. Edhe pse nuk ia doli nga një distancë 60 metra, anësori i majtë i Egnatias po bën mjaft mirë me rrogozhinasit. Shkëlqeu ndaj Kukësit, skuadër të cilën tregoi se njeh mjaft mirë. I rrezikshëm në sulm, i mrekullueshëm dhe në fazën difensive.

Fernando MEDEIROS – E kishte evidentuar më parë Shpëtim Duro, por me kalimin e kohës po kuptohet që mesfushori brazilian është padyshim vlerë e shtuar për kampionatin shqiptar. Lojtari ka njohur progresion të vazhdueshëm ndeshje pas ndeshje në Superiore. Ndaj Kukësit hipotekoi fitoren 3-0 duke realizuar golin e 3-të.

Florent HASANI – “Show-man” i klubit të Tiranës në këtë periudhë të Abissnet Superiore. Arriti të realizonte 3 gola kundër Erzenit duke i dhënë i vetëm fitoren kampionëve të Shqipërisë. Udhëheq listën e golashënuesve në vendin tonë dhe aktualisht është më i miri në pozicionin e tij.

Raphael DWAMENA – Nëse në Angli nuk do t’i kishin zbuluar një problem shëndetësor, padyshim që kampionati shqiptar nuk do të kishte luksin të kishte në radhët e tij një lojtar si sulmuesi i Egnatias. Është afruar në janar dhe ka shënuar plot 8 gola. Nuhatës i mirë i golit, rrezik konstant për çdo ekip të Superiores.

Christian MBA – Goli i tretë për sulmuesin e Partizanit i cili u ble nga Superliga e Kosovës. Dalëngadalë ka nisur të futet në ritëm duke u shndërruar në pikë referimi për stafin teknik të të kuqve. Realizoi golin e parë ndaj Teutës dhe është ai që tërheq për “dore” 16-herë kampionët e Shqipërisë.

TRAJNER EMILJANO ÇELA

Shpesh herë mund të shfaqet emocional në pankinë, sikurse dikur në fushën e blertë. Grinta është e njëjta, roli i ndryshëm. Një trajner i ri padyshim i fituar për kampionatin shqiptar. Fiton një “finale” ndaj Laçit për objektivin “mbijetesë”. Një Kastriot i vendosur mirë në fushë duke u përpjekur të zbatojë me përpikmëri udhëzimet e ish kapitenit. Trajneri i javës për mënyrën se si shkoi sfida dhe rëndësinë që kishte.

 

 

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga