Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 26-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT

Kategoria Superiore uli siparin për javën e 26-të të saj. 5 ndeshje të luajtura me rezultate surprize. Vlen të veçohet fitorja e thellë e Partizanit 4-1 ndaj Kastriotit apo triumfi i Laçit 2-0 me Vllazninë.

Newsport.al ka zgjedhur 11 më të mirët që spikatën duke lënë gjurmë në këtë javë të 26-të të Superiores. Nga porta e deri në sulm dhe trajnerin e javës, më poshtë njihuni me formacionin që shkëlqeu në elitën e futbollit shqiptar.

FORMACIONI I JAVËS:

Aldo TEQJA – Bylisi arriti të ndalte Tiranën në një sfidë mjaft të luftuar të javës së 26-të të Superiores. Portieri i mallakastriotëve u bë makth për bardheblutë duke mos lejuar në asnjë moment që të ndëshkoheshin. Por, në minutën e fundit, mbrojtja ballshiote u ça dhe goli i realizuar nuk ishte faj i Teqjës. Padyshim ndër më të mirët për Bylisin.

Rudolf TURKAJ – Laçi fitoi me Vllazninë, një ndeshje mjaft e rëndësishme për kurbinasit të cilët mposhtën një nga pretendentët për titull. Qendërmbrojtësi i bardhezinjve ishte i pakalueshëm në prapavijë duke ia “nxirë jetën” Bekim Balajt. Një lojtar që meriton padyshim një vend në formacionin titullar.

Marko KRIVIÇIÇ – Lojtari i Erzenit shkëlqeu në ndeshjen me Erzenin. Edhe pse nuk arritën të triumfonin, 27-vjeçari ishte një nga më të rrezikshmit në fushën e blertë. Shijakasit janë shndërruar në ekipin që duhet mundur në këtë edicion futbollistik të Superiores. Dhe me një Kriviçiç në super formë, padyshim që Erzeni është i vështirë për t’u mposhtur.

Marçelino PREKA – U ble nga Bylis, por nuk arriti të luante në fillim të Superiores për shkak të një dëmtimi. Tashmë është rikthyer në skuadër dhe ka zbritur menjëherë në fushë. Ka fituar besimin e trajnerit Colella dhe ka treguar se 50 mijë eurot e shpenzuara për to ia kanë vlejtur. Çfarë sfide e mrekullueshme ndaj Kastriotit.

Masanga MATONDO – Nëse Partizani ka bërë realisht bingo me një lojtar të huaj, padyshim Matondo është më i miri. Afrikani ka një nivel loje të jashtëzakonshëm. Është gjithmonë konstant me stekën e performancës që e mban gjithmonë lart. Ndaj krutanëve jo vetëm shkatërron dhe ndërton, por realizon edhe një supergol nga distanca.

Mentor MAZREKAJ – Nëse fantazisti është në ditën e tij, Laçi padyshim do të fitojë. Mazrekaj ishte më i miri në fushë ndaj Vllaznisë. Rrezik konstant për shkodranët dhe gjithmonë shumë pranë portës kundërshtare. Ndryshe nga herët e tjera, në këtë ndeshje ndihmonte edhe prapa në mbrojtje.

Xhoel MAÇOLLI – Bylis barazoi me Tiranën, ndeshje e vlefshme për javën e 26-të të Superiores. Një sfidë me dy tablo për mallakastriotët që humbën 2 pikë vetëm në minutën e 90-të të takimit. Maçolli ishte një nga më të mirët në fushë kundër bardhebluve. Mesfushori shkëlqeu duke arritur të neutralizojë në mesfushë aksionet e kampionëve.

Arinaldo RRAPAJ – Duket se rikthimi pas një tratative për t’u shitur i ka bërë akoma më mirë vlonjatit të Partizanit. Mesfushori po kalon një formë të jashtëzakonshme. I mrekullueshëm në ndërtimin e lojës së të kuqve, kombinon bukur dhe tregon klas në një ndeshje të rëndësishme si me Kastriotin.

Ildi GRUDA – “Është më i shpejti në Superiore”, pati deklaruar trajneri Edi Martini. Shkodrani po shlyen më së miri besimin e teknikut të njohur. Ndeshje pas ndeshje po shkëlqen dhe në barazimin 1-1, ishte ai që realizoi. Titullar fiks, eksperienca mbi supe e bën atë të domosdoshëm për ekipin durrsak.

Tedi CARA – 1 gol dhe 1 asist, shifra “simpatike” këto për një sulmues si Cara. E nis si titullar kundër Kastriotit dhe shpërblen më së miri besimin e stafit teknik. Mjaft i lëvizur në fushën e blertë, nuhatës i mirë i golit dhe altruist në shumë raste kur duhet.

Saliu GUINDO – E kishte treguar veten edhe më parë në Kategorinë Superiore, ndërsa me fanelën e kurbinasve duket se përshtatet mirë. Ndaj Vllaznisë është kryefjala e ndeshjes. Arrin të shënojë dy herë dhe i jep 3 pikë të rëndësishme ekipit të Gentian Mezanit.

TRAJNERI GENTIAN MEZANI

Laçi luante përballë Vllaznisë, në letër një ndeshje mjaft e vështirë për ekipin kurbinas. Shkodranët futeshin si favoritë në fushë, megjithatë stadiumi i Laçit tregoi se ishin vendasit ata që triumfuan. Një punë e mirë nga trajneri Mezani që arrin të marrë 3 pikë ndaj një pretendenti për titull kampion duke trazuar seriozisht ujërat në kampin kundërshtar. Meriton të jetë trajneri i javës sepse bëri kthesën në momentin më të vështirë të ekipit.

[caption id="attachment_685298" align="alignnone" width="479"] Formacioni i javës[/caption]

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga