Kategoria Superiore mbylli në fundjavë raundin e 24-të të kampionatit. 5 sfida, të 5-ta përballje direkte mes ekipeve që luftojnë për objektiva të njëjta.
Supersfida e javës ishte sigurisht derbi Partizani – Tirana që u mbyll me fitoren e të kuqve, ndërsa një tjetër duel spektakolar ishte ai që Vllaznia fitoi ndaj Egnatias.
Në këtë panoramë të kësaj jave, Newsport.al ka përzgjedhur edhe formacionin më të mirë me lojtarët që kontribuan në rezultatet e ekipeve të tyre si dhe një vend i rëndësishëm për trajnerin e javës që udhëhoqi ekipin drejt suksesit.
-FORMACIONI-
Elton VATA (Teuta) – Siç thuhet në zhargon popullor, Vata ishte ‘mace’ përballë Kukësit. Nga cepi në cep, pristë çdo tentativë të verilindorëve. Arsyeja kryesore që Teuta mbajti portën e paprekur duke i dhënë lehtësi për shënimin e golit të fitores Teutës.
Elmando GJINI (Teuta) – Detyra e një mbrojtësi është e qartë, të mbrojë. Këtë e bëri në mënyrën më perfekte shtatlarti i Teutës që nuk humbi as edhe një duel të vetëm si në tokë, ashtu dhe në ajër. I është afruar disa herë, por ende se ka gjetur golin e parë, megithatë performanca të tilla janë ‘gola’ më vete.
Marcos RAMOS (Skënderbeu) – Braziliani ishte një siguri në mbrojtje. Me 2 gola të shënuar që në start nga sulmuesit, e pati më të lehtë të dominonte kundërshtarët e ulur moralisht. Një performancë solide e tij ndaj shijakasve.
David ATANASKOSKI (Partizani) – Lojtari më i nënvlerësuar i të kuqve. Kishte detyrën më të vështirë në derbi, të markonte Kristal Abazajn. Edhe pse hasi vështirësi, në fund e mbylli ndeshjen pa asnjë gabim, Abazaj nuk rrezikoi thuajse asnjëherë nga krahu i tij. Edhe pse goli i pësuar erdhi nga krahu i tij, maqedonasi u ‘tradhtua’ nga Maguette i cili gaboi në pasim dhe kapi në befasi mbrojtësat e kuq.
Ergys PEPOSHI (Teuta) – Ndeshja e rradhës, goli i rradhës. Peposhi ‘të çan rrjetën’, jo figurativisht, por literalisht teksa gjuajtja e tij nga penalltia shpoi tej për tej rrjetën. Lider i padiskutueshëm i Teutës.
Dejvid JANAQI (Skënderbeu) – Duket se Gvozdenovic ka bërë zbulimin e rradhës te Skënderbeu. Mesfushori 20-vjeçar shkëlqeu ndaj Erzenit me një gol dhe një penallti të fituar që vulosën fitoren 0-3 të korçarëve.
Arinaldo RRAPAJ (Partizani) – Në një fitore të Partizanit, një ndër protagonistët kryesor është sigurisht ‘Topi i Artë’ i Superiores. S’ka si të jetë ndryshe teksa e gjithë loja ndërtohet rreth tij, më saktë, është ai që ndërton gjithçka te Partizani. Asisti për golin e përmbysjes të Carës ishte për kopertinë, nga ato aksione që po i mungojnë edhe Barcelonës së fundmi.
Esat MALA (Vllaznia) – ‘Punëtori’ i palodhur i Qatip Osmanit. Cep më cep e sheh duke kërkuar topin për ta shpërndarë më pas atje ku e sheh të arsyeshme për një aksion shpresdhënës. Është rikthyer të luaj në mesfushë, aty ku jep më të mirën e tij pasi karakteristikat teknike i ka si pakkush në Superiore.
Ildi GRUDA (Vllaznia) – Lojtari më i mirë i shkodranëve në fitoren ndaj Egnatias. Shënoi golin e fitores dhe ishte më i rrezikshmi nga minuta e parë deri tek e fundit.
Franklin AHANONU (Skënderbeu) – Mori përsipër skuadrën në një fitore shumë të rëndësishme. Sulmuesi afrikan ishte autori i golit të parë dhe ai që dha asistin në të tretin duke qenë protagonist absolut i bardhekuqve. Sa vjen e fiton më shumë besim te vetja e cila përcillet qartë në fushën e lojës.
Tedi CARA (Partizani) – Lojtari më i mirë i ndeshjes në derbin me Tiranën. Një performancë nga ajo që të gjithë presin prej tij. Cara ishte rreziku konstant në krahun e djathtë të bardhebluve dhe autor i një goli fantastik me një inkursion mahnitës në zonë. Siç drejtori Rama i tha, “Mos i lyej flokët vetëm për derbi”, nëse Cara do mbante të njëjtën formë rregullisht, milionat do të fluturonin në tryezën e drejtuesve.
Trajner: Orges Shehi (Partizani) – Derbi është derbi dhe fituesit i takon copa më e madhe e tortës. Në një javë ku disa ekipe dhuruan një performancë të mirë, fitorja e derbit mbetet gjithnjë në krye. Shehi e nisi me 2 sulmues të mirëfilltë dhe një formacion tipik 4-4-2.
Por, me golin e pësuar që në start bëri që të ndryshonte taktikat të cilat më pas rezultuan të duhurat. Partizani i tij fitoi me përmbysje dhe mbetet i pamposhtur në derbi në 6 përballjet e fundit.