Java e 23-të e Superiores uli siparin me rezultate surprizuese dhe plot emocione. Të tre kryesuesit e kampionatit humbën ndeshjet e tyre përballë ekipeve që luftojnë për mbijetesë. Tirana humbi me Teutën duke mos përfituar nga humbja e Partizanit dhe Vllaznisë me Kukësin dhe Kastriotin.
Newsport.al ka zgjedhur 11 më të mirët që shkëlqyen në javën që lamë pas. Nga porta e deri në sulm, ku sigurisht nuk mungon as trajneri i javës. Më poshtë njihuni me 11 futbollistët që shkëlqyen në Abissnet Superiore si dhe “timonierin” që shkëlqeu duke çuar ekipin drejt fitores.
Formacioni i javës:
Edmir SALI – Fantastik portieri i Kastriotit, në lartësinë e duhur thuajse çdo javë me paraqitje mbi mesataren. Përballë Vllaznisë ishte i pakalueshëm duke qenë një nga faktorët kryesor për fitoren e rëndësishme në Shkodër.
Aleksandër TRUMÇI – Kapiteni e Bylisit është ndër më të mirët në Shqipëri për pozitën e tij. Në krahun e djathtë është i aftë të bëjë gjithçka vetëm, i rrezikshëm në sulm dhe i sigurtë në mbrojtje. Ndaj Egnatias arriti të shënojë një gol që nuk vlejti shumë por paraqitja e tij është për t’u vlerësuar.
Adolf SELMANI – Në fushën e "Loro Boriçit" dukej si një mur në fushë. Asnjë problem me sulmuesit e Vllaznisë duke vënë në hije një bomber si Bekim Balaj. Kastrioti mbajti portën e paprekur dhe një nga arsyet është pikërisht shtatlarti i mbrojtjes. Pavarësisht moshës është kthyer në një lider në fushën e lojës.
Altin BYTYÇI – Për të disatën herë bëhet pjesë e formacionit të javës. Që pas rifillimit të kampionatit është transformuar totalisht duke qenë një pikë kyçe e ekipit të Kukësit. Ndaj Partizanit bëri që të mos dëgjohej emri i sulmuesve të kuq duke lënë të qetë edhe portierin Tafas.
Edison NDRECA – Në krahun e majtë duket si një motor që nuk i mbaron kurrë nafta. Në çdo minutë është me xhiro të larta, nga mbrojtja në sulm, ai bën të gjithë vijën e majtë me intensitet të lartë. Dhuroi një asist për golin spektakolar të Taipit që i dha fitoren Kukësit. Ndër më të mirët në pozitën e tij në Shqipëri.
Sherif KALLAKU – Ndaj Tiranës dukej se e kishte “personale”. Donte të tregonte se bardheblutë kanë bërë gabim që e larguan dhe në fushë arriti t’i hapte shumë punë. Një magjistar me topin, filtrues i çdo pasimi të shokëve të skuadrës dhe truri i lojës së Teutës. Me të në fushë durrsakët kanë ndryshuar totalisht. Dhuroi një asist mbresëlënës për Emiliano Vilën pasi dribloi 2-3 kundërshtarë.
Emiliano VILA – Është lideri i Teutës, mosha për të është thjeshtë një numër pasi në fushë nuk di të ndalet. I kudondodhur në tapetin e Air Albania dhe një motor për Teutën. Është i pari që i bashkohet sulmuesve dhe i pari që ndihmon repartin defansiv, kurrë nuk e lë ekipin vetëm dhe rikthimi i tij nga dëmtimi është një frymëmarrje për trajnerin Martini. Shënoi edhe golin e Knock Out-it ndaj Tiranës për të marrë 3 pikë shumë të rëndësishme.
Gjelbrim TAIPI – Kapiteni i Kukësit bëri atë që një kapiten duhet të bëjë, udhëhoqi skuadrën e tij te fitorja me golin spektakolar që shënoi. Çdo top kalon nga këmbët e tij dhe është gjatë gjithë kohës duke u folur bashkëlojtarëve. Për Kukësin, prezenca e tij në fushë është jetike.
Edon HASANI – Kjo javë ishte e mesfushorëve të cilët treguan se çfarë janë të aftë të prodhojnë me këmbët e tyre. Hasani ishte fantastik në fushën e lojës përballë Vllaznisë. Dha një asist alla-Messi duke e nxjerrë Mihanën me vetëm një pasim përballë portës për të shënuar golin e fitores. Një vizion loje për t’u patur zili, sheh përfundimin e aksionit pa mbaruar akoma, kështu dukej në fushën e Loro Boriçit.
Raphael DWAMENA – Një lojtar që rrethanat e sollën në Shqipëri pasi cilësitë e tij janë dukshëm shumë të larta. Është një kënaqësi teksa e sheh duke luajtur, një sulmues i frikshëm për kundërshtarët. Egnatia e mori për të shënuar gola dhe atë po e bën çdo javë, ndaj Bylisit shënoi golin e përmbysjes së 1-2 që i dha një tjetër ritëm lojës.
Redon MIHANA – Për herë të parë e nisi si titullar me Kastriotin këtë sezon dhe arriti të bëhej protagonist absolut me golin e shënuar. Shumë i shpejtë në fushë saqe detyron mesfushorët e Vllaznisë të mos dalin shumë në sulm por të qendrojnë pranë mbrojtjes.
Trajner: Edi MARTINI – Teuta e tij ka marrë një fytyrë tjetër që prej rikthimit të tij. Nga vendet e fundit në renditjen tani Teuta garon për një vend në kupat e Europës teksa është vetëm 3 pikë larg Egnatias në vendin e katërt. Në ndeshjen me Tiranën ekipi i tij mori një fitore shumë të vlefshme duke fituar duelin edhe me trajnerin e vitit, Orges Shehin. Izoloi rrezikun më të madh të bardhebluve, sulmuesin Hasani duke mbyllur thuajse çdo rrezik të mundshëm.