Kategoria Superiore mbyll edhe javën e 22-të të saj ku kryefjalë ishin sërish golat e shënuar, 16 të tillë në 5 ndeshje. Rezultate surprizë dhe ndeshje plot emocione, me përmbysje të minutave të fundit.
Në këtë panoramë të kësaj jave, Newsport.al bën përzgjedhjen për formacionin më të mirë të javës dhe një vend për trajnerin më të mirë.
FORMACIONI I JAVËS
Mario DAJSNINANI (Laçi) – Gardiani i Laçit dhuroi një paraqitje të mirë me pritjet e tij ndaj Vllaznisë. Te goli i pësuar nuk kishte ç’të bënte teksa devijimi i hoqi të gjitha mundësitë për ta shmangur, ndërsa në rastet e tjera ishte i pakalueshëm.
Ergys PEPOSHI (Teuta) – Një tjetër ndeshje solide nga ai. I kudondodhur në fushë duke ndihmuar Teutën si në fazën defansive, edhe në atë ofensive. Ka marrë përsipër penalltitë dhe po i kthen në gola duke konfirmuar se është një lider në këtë skuadër.
Rustem HOXHA (Dinamo) – Ka ‘ngatërruar’ pozicion. Është mbrojtës por ka shifra sulmuesisht për gola të shënuar. Kapiteni shënoi të rradhës i cili i hapi rrugën goleadës ndaj Erzenit. Në mbrojtje është gjithashtu një siguri më vete.
Eljon SOTA (Partizani) – Më i miri për Partizanin. Me largimin e Maguette, të kuqtë ranë ndjeshëm dhe Egnatia e ‘mbylli në portë’. Mbrojtjes ju shtuan punët dhe Sota ia doli të bënte mirë. Dhuroi edhe asistin për golin e barazimit.
Blerim KOTOBELLI (Teuta) – Ndaj Skënderbeut ishte në top formë. Bllokoi thuajse gjithçka në krahun e tij duke i dhënë shtysë pjesës përpara për të avancuar me shumë forca. Ishte protagonist në golin e parë teksa në rrëmujën e zonës asiston për Klejdi Dacin.
Fation ANDONI (Dinamo) – Kontrollori i lojës, me të në fushë pasqyrohet e gjithë Dinamo. ‘Shef’ i repartit ndaj Erzenit duke bllokuar aksionet kundërshtare dhe duke nisur ato të bluve.
Ardit KRYMI (Vllaznia) – Një paraqitje mjaft e mirë edhe nga shkodrani. Përballë Laçit, Vllaznia bëri një nga ndeshjet më të mira taktikisht dhe meritë të lartë ka pikërisht Krymi që udhëhiqt të tijët.
Arbin ZEJNULLAI (Egnatia) – Një lojë nervash, taktikash, episodesh dhe detajesh nga ato më të voglat. Kështu ishte ajo mes dy kryesuesve Partizanit dhe Egnatias. Në një ndeshje si kjo, cilësitë individuale bëjnë diferencën. Zejnullai shkëlqeu me lojën e tij, i zhdërvjellët, i saktë në pasime dhe perfekt në zonat e ngushta. Asistoi Spahiun në golin e rrogozhinasve.
Sebastian SPAHIU (Egnatia) – Më i miri i supersfidës. Luan kudo, nga mbrojtja në sulm, nga e majta në të djathtë. Kudo ku luan bën më të mirën. Është një bast i fituar i drejtuesve që e morën në merkaton e verës për ta bërë ky që është tani. Superlojtar...
Klejdi DACI (Teuta) – Protagonisti absolut i durrsakëve në fitoren përballë Skënderbeut. Shënoi dy gola me nuhatje prej bomberi dhe me meritë është lojtari i ndeshjes. Daci është sulmues me tipare të rralla në Superiore. Një fizik fantastik, i fortë, i shpejtë, i palodhur, driblues dhe godites mjaft i mirë. Nëse gjen vazhdimësinë do të jetë një element i veçantë në futbollin shqiptar.
Baton ZABËRGJA (Dinamo) – Më i miri i kësaj jave të Superiores. Fitorja e Dinamos vjen e gjitha nga këmbët e tij. Shënoi një gol dhe asistoi 2 të tjera, ç’mund t’i kërkosh më shumë. Nëse Dinamo bën rotacion, Zabërgja nuk lëviz pasi është jetik për lojën e bluve.
Trajner: Dritan MEHMETI (Dinamo) – Padyshim një ndeshje e kyçur që në minutën e parë. Dukej një Dinamo ndryshe, një Dinamo që nuk donte asgjë tjetër veç fitores. Ekipi punoi për 3 pikët dhe i arriti në perfeksion. Dominim absolut nga ana taktike duke izoluar çdo rrezik dhe duke krijuar shumë raste shënimi. Duket dora e Mehmetit.