Java e 19-të ka ulur “siparin” me dy ndeshjet e djeshme. Laçi fitoi 1-0 kundër Vllaznisë, ndërsa Kukësi triumfoi 2-0 në transfertë ndaj Egnatias. Sikurse çdo fillim jave, edhe këtë herë Newsport.al ka bërë formacionin e javës duke përzgjedhur 11 më të mirët që shkëlqyen duke kontribuar në një mënyrë ose tjetër për ekipet e tyre.
Në portë është padiskutim Mario Dajsinani i cili ia bëri të vështirë shkodranëve me pritjtet e tyre, ndërsa në sulm dyshja Skuka – Greca janë ata që bënë kundërshtarët të flasin me vete. Më poshtë njihuni me 11-shen më të mirë si dhe trajnerin fitues.
FORMACIONI I JAVËS:
Mario Dajsinani (LAÇI) – Portieri i kurbinasve ishte në ditën e tij më të mirë teksa me pritjet e bëra i mohoi Vllaznisë gëzimin e një goli. Vendimtar në fitoren 1-0 kundër shkodranëve duke treguar se drejtuesit laçianë kanë bërë lëvizje të zgjuar duke e afruar në gjirin e tyre. Me Mirel Josën ka fituar vendin e titullarit dhe me ndeshjen e djeshme, vështirë se do të ketë rival t’i marrë vendin në katërkëndësh.
Eljon Sota (PARTIZANI) – Në mungesë të Eneo Bitrit, trajneri Dritan Mehmeti i besoi vendin e titullarit lojtarit fierak. Ia shpërbleu më së miri duke bërë një ndeshje fantastike kundër Teutës që u duk u dorëzuar që në minutat e para të të takimit. I vendosur mirë në mbrojtje dhe mjaft i zgjuar në daljet përpara duke i dhënë skuadrës së tij një marsh më shumë në presionin ultra-ofensiv.
Renato Malota (LAÇI) – Kishte një punë të madhe në përballjen me Vllazninë. Da Silva dhe Latifi ishin rrezik konstant, megjithatë shtatlarti dhe eksperienca e tij i bënë ballë mirë duke arritur të neutralizojnë në disa raste rrezikun e kanosur nga kundërshtarët. Ka fituar vendin e titullarit te Laçi dhe trajneri Mirel Josa duket se ka besim shumë në aftësitë e tij.
Darko Bulatoviç (VLLAZNIA) – Nëse një dëmtim në merkaton e verës së shkuar nuk do ta kishte penalizuar, trajneri Thomas Brdariç padyshim që do t’i bënte një vend në formacionin titullar. Vllaznia e tij u mposht minimalisht 1-0 nga Laçi, por çfarë ndeshje të mirë zhvilloi shtatlarti i kuqebluve. Fitimtar në çdo duel, Bulatoviç ofron garanci për repartin e prapavijës.
Valentino Murataj (PARTIZANI) – Me Ilir Dajën e kishte të vështirë në këtë sezon të kishte minuta në këmbë. Por, me Dritan Mehmetin mesfushori ka gjetur atë “Muratajn” e edicionit të shkuar që vraponte pa pushim. Prishte aksionet e kundërshtarit dhe ndërtonte të Partizanit. Ka kapur formën e dëshiruar dhe është gati të japë maksimumin e tij në çdo ndeshje.
Ardit Krymi (VLLAZNIA) – Jepi një top, caktoi detyrat dhe në fund ke për detyrë vetëm ta duartrokasësh. Ky është Ardit Krymi i Vllaznisë, lojtari më punëtor në mesfushën e ekipit shkodran. Nuk ndalet për 90 minuta, punon mirë me topin dhe në aspektin psikologjik. Tenton në shumë raste të ngrejë lart ekipin e tij duke ushtruar pressing të jashtëzakonshëm te kundërshtari. Thyen aksione të rrezikshme të kurbinasve dhe çdo kundërsulm nis nga këmbët e tij.
Edon Hasani (KASTRIOTI) – “Me ken shkodran për s’mari t’tana i ban”, dhe në fakt edhe Edon Hasani në fushë bën gjithçka. Rikthehet pas një dëmtimi të rëndë që e mbajti larg fushave thuajse 1 vit. Cilësitë me topin dhe eksperienca mbi shpatulla i kanë dhënë tjetër imazh ekipit krutan që mposhti një Dinamo që nisi një sezon me shumë pretendime.
Vesel Limaj (TIRANA) – Jo më kot e kanë cilësuar si “doktorin” e mesfushës bardheblu. Është aty për të ndërtuar çdo aksion, por edhe për të riparuar gabimet e shokëve të skuadrës. Pason bukur dhe është në një marrëdhënie të mirë edhe me golin. Nëse i le shteg për të kalibruar të djathtën, je i detyruar të nxjerrësh topin nga rrjeta. Një gjë të tillë e bëri dhe ndaj Skënderbeut me fitoren 3-2 në stadiumin “Air Albania”.
Emiliano Musta (KUKËSI) – Te Partizanin e larguan si më të dobëtin, por koha po tregon se të kuqtë kanë vepruar gabim. Majtoshi i verilindorëve shkëlqeu në stadiumin e Rrogozhinës. I papërmbajtshëm në linjën e majtë. Asist për Ndrecën që nuk gabon ndaj portierit të Egnatias. Lëvizje e zgjuar nga drejtuesit e Kukësit duke rrëmbyer në gjirin e tyre një nga lojtarët më me eksperiencë në kampionatin shqiptar.
Bedri Greca (KASTRIOTI) – Dy gola ndaj Dinamos dhe një formë e jashtëzakonshme që ka ardhur në rritje i japin sulmuesit kryeqytetas një vend në formacionin e javës. Nuk lodhet gjatë gjithë takimit dhe me sprintet e tij, është rrezik konstant për mbrojtjen dinamovite që e ka të vështirë ta arrijë. Dy raste, dy gola tregojnë efiçencën e këtij futbollisti që Çela i ka besuar vendin e titullarit.
Xhuliano Skuka (PARTIZANI) – Pa frikë mund të thuhet se ishte lojtari që mori për “dore” skuadrën e Partizanit. Gol dhe asist nga sulmuesi dibran që u largua nga Dinamo si futbollist që nuk ishte në planet e drejtuesve. Me të kuqtë po luan në pozicionin e tij dhe ndaj Teutës realizoi një gol “alla” Robert Lewandowski. Është i pandalshëm në lojën një për një. Vendoset mirë duke kërkuar hapësira në prapavijën kundërshtare, duke krijuar më shumë lirshmëri për shokët e ekipit.
TRAJNER: Mirel JOSA
Laçi i Josës luan ndaj një rivali direkt siç ishte Vllaznia. Titulli kampion është objektivi i dy skuadrave, që janë në ndjekje të Tiranës. Arrin të mposhtë një Vllazni të mirë vendosur në fushë që me vete nuk pati vetëm fatin. Në ndeshje të tilla, i rëndësishëm është rezultati. Dhe një trajner me eksperiencë si Mirel Josa ia del të dalë me 3 pikë ndaj një rivali direkt. /Newsport.al/
