Kategoria Superiore “uli siparin” për javën e 18-të të saj, me lojtarët që shkëlqyen dhe të tjerë që zhgënjyen. Fitorja e Teutës ndaj Partizanit ishte surprizë e kësaj jave duke futur në krizë një nga ekipet pretendente për titullin kampion.
Newsport.al ka zgjedhur më të mirët e javës së 18-të të elitës bashkë me trajnerin që meriton një vend në formacion. Nga porta në sulm, njihuni me futbollistët që shkëlqyen në Superiore duke dhënë kontributin e tyre me skuadrat që aktivizohen.
FORMACIONI I JAVËS:
Visar BEKAJ – Portieri i Tiranës është shndërruar në siguri absolute për katërkëndëshin e kampionëve. Ndaj Erzenit, shtatlarti kosovar ishte i pakalueshëm duke mbajtur të paprekur portën e tij. 3 pikë të arta ndaj shijakasve, falë edhe punës së mirë të Bekajt në katërkëndëshin e vet.
Blerim KOTOBELLI – Teuta fitoi ndaj Partizanit në transfertë, një sfidë e lehtë në letër për të kuqtë. Megjithatë fusha e blertë tregoi krejt të kundërtën. Me shiritin e kapitenit në krah, Kotobelli tregoi se është lideri i asaj skuadre. Vitet mbi supe dhe eksperienca në Superiore kanë blinduar linjën e majtë të durrsakëve.
Edison NDRECA – Kukësi arriti të merrte një fitore me mjaft vlera kundër Egnatias e pikërisht goli i parë për verilindorët u shënua nga mëngjërashi. Mjaft potent në prapavijë dhe gjithmonë i rrezikshëm para portës kundërshtare. Mbështetje e fortë edhe për trajnerin Rrahman Hallaçi që ka marrë përsipër të nxjerrë kuksianët nga kriza.
Stivian JANKU – Ftesa në Kombëtare nuk ishte rastësi. Qendërmbrojtësi i Bylisit shkëlqeu ndaj Vllaznisë duke neutralizuar sulmet e shkodranëve. Kaina e pati të vështirë përballë tij dhe më pas Bekim Balaj ishte thuajse i padukshëm në një sfidë ku ballshiotët u treguan cinikë. Shtatlarti ua bëri të vështirë sulmet Vllaznisë duke arritur të merrte një fitore minimale, por me shumë vlera.
Albion MARKU – Nëse do të shihni golin e parë të Teutës, me siguri do të mendoni se është shënuar nga ndonjë mesfushor apo sulmues krahu. Por, jo! Është mbrojtësi i linjës së djathtë të durrsakëve që godet me të majtën dhe realizon “perlën” e javës. “Motorr” në fushë, sa në mbrojtje dhe në sulm, gjithmonë rrezik potencial për Partizanin.
Sebastian SPAHIU – Dikur Shpëtim Duro fliste me superlativa për mesfushorin, por problemet fizike e penalizuan për të treguar vlerat e tij në Superiore. Ndaj Kastriotit, ishte më i miri në fushë. I kudogjendur dhe me golin e dytë të shënuar në fitoren 4-1, lojtari i Laçit i vuri “vulën” performancës pozitive.
Sherif KALLAKU – Arriti të shndërronte në gol një penallti të fituar nga Gruda duke i treguar Partizanin se kanë humbur një xhevahir në merkaton e verës së shkuar. Vrapon pa pushim dhe është i saktë me vertikalizimet e tij. Teuta dukej në pozita të vështira deri në ardhjen e tij në skuadër.
Florent HASANI – Çfarë goditje e Tiranës në merkaton e verës. Kur u afrua te bardheblutë askush nuk besonte te aftësitë e tij veç presidentit Halili që ishte i bindur për forcën e këtij lojtari. Ndaj Erzenit merr për “dore” bardheblutë dhe i jep 3 pikë të arta me 2 golat e realizuar. Tashmë në kuotën e 8 rrjetave të tundura, Hasani duket se do të zëvendësojë Redon Xhixhën e larguar.
Luis KAÇORRI – Bylis fitoi kundër një pretendenteje për titull e pikërisht përballë Vllaznisë së Mirel Josës. U desh goli i shënuar nga Luis Kaçorri që mallakastriotët të merrnin një triumf me mjaft vlera. Sulmuesi i ballshiotëve shfrytëzoi mirë pasimin e ardhur nga goditja e dënimit duke tundur rrjetën e Zogoviç. Gol me peshë në javën e 18-të të Superiores.
Mirza DELIMEDJAC – Kukësi ka bërë bingo në merkaton e janarit. Shtatlarti i fazës ofensive arrin të realizojë një gol me mjaft vlera kundër Egnatias së Duros duke i dhënë 3 pikë të arta verilindorëve. Besimi i dhënë nga trajneri Rrahman Hallaçi shpërblehet më së miri nga 23-vjeçari.
Vasil SHKURTAJ – Lëvdatat e trajnerit Gentian Mezani i ka merituar. Vasil Shkurtaj shkëlqeu kundër Kastriotit. Ishte rrezik potencial për krutanët dhe duket se po gjen ritmin e munguar. Arrin të zhbllokojë rezultatin duke qenë iniciator i fitores së thellë 4-1.
TRAJNERI EDI MARTINI
Vetëm një trajner si Edi Martini di ta ulë Partizanin me këmbë në tokë duke e zhytur zyrtarisht në krizë. Para dy vitesh provoi titullin kampion me Teutën, ndërsa tanimë ka ardhur për ta nxjerrë nga vështirësia. Momentalisht ia ka dalë. “Djemtë e Detit” kanë lënë zonën e ftohtë duke u renditur në vendin e shtatë të Abissnet Superiore. Edhe pse bashkë me Shensoin mposhtën dy rivale për titullin kampion, shkodrani e meriton pasi në 3 ndeshjet e fundit ka arritur të grumbullojë 7 pikë.
[caption id="attachment_677678" align="alignnone" width="478"] Formacioni i javës[/caption]