Kategoria Superiore mbylli javën e 10-të të kampionatit me 5 ndeshje që prodhuan rezultatë të cilat ndryshuan klasifikimin. Egnatia e Tirana u ndalën në barazim ndërsa Partizani fitoi në frymën e fundit me Teutën. Fitore të rëndësishme mori edhe Kukësi përballë Vllaznisë.
Në këtë panoramë të kësaj jave, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët, lojtarët që lanë gjurmë duke ndikuar në rezultatet e ekipeve të tyre. Gjithashtu një vend të rëndësishëm zë dhe trajneri i javës.
-FORMACIONI I JAVËS-
Endri Dema (Teuta) – I pakalueshëm për 92 minuta lojë. Fantastik në çdo dalje, por ajo goditje e devijuar e Kekos në fundin e takimit do t’i ‘prishte’ atë mbrëmje magjike. Gardiani i talentuar i Teutës nuk kishte ç’të bënte në atë moment, por një vend në formacionin e javës e meriton plotësisht.
Plarent Fejzaj (Kukësi) – Mund të quhet me plot gojë lojtari më i mirë i kësaj jave të Superiores. Nuk rresht së vrapuari nga minuta e parë deri tek e fundit sa që duket se ka 3 mushkri në kraharor. Mbron, ndërton, sulmon, Fejzaj bën gjithçka në fushën e lojës. Ndaj Vllaznisë ishte ai që merrte topin nga mbrojtja dhe e dërgonte te sulmuesit. Qershia mbi tortë ishte asisti për Rashitin që realizoi golin e fitores.
Ermal Meta (Tirana) – Në një Tiranë mes shumë problemeve, derbi ndaj Dinamos do të shtonte edhe hallet e mungesave. Në mbrojtje mungonin Najdovski e Lulaj dhe Ahmataj befasoi të gjithë kur në formacionin titullar pamë emrin Meta. Djaloshi i akademisë bardheblu shkëlqeu në debutimin e tij si titullar në një ndeshje zyrtare duke qenë një mur për lojtarët dinamovit. Shpëtoi 2 herë Tiranën nga goli dhe i jep një ‘shkëndijë’ trajnerit dhe drejtuesve bardheblu.
Nehar Sadiki (Erzeni) – Në një ndeshje ku nuk shënohen gola, mbrojtësit bëjnë një detyrë të mirë. E tillë ishte edhe ndeshja e Sadikit që neutralizoi sulmin e Laçit. I fortë në ajër dhe i saktë në tokë, Sadiki është një garanci në mbrojtjen shijakase.
Franci Lala (Kukësi) – Një tjetër ndeshje me performancë të lartë e mbrojtësit të Kukësit. Kishte një detyrë të vështirë ku përallë kishte sulmues si Bekim Balaj, Gruda, Mala apo Dodev, por ja del mjaft mirë duke mbajtur zonën e tij të pastër.
Yuri Merlim (Skënderbeu) – Truri i mesfushës së Shkënderbeut. Yuri Merlim zhvillon një tjetër ndeshje pozitive duke filtruar topat mes linjave, nis aksionet, por edhe i shkatërron ato të kundërshtarit. Një mesfushor i kompletuar.
Ardit Deliu (Tirana) – Në mungesë të Jonuzit kishte detyra pak më defensive duke i lënë hapësirën Hilës dhe Lushkjas. Deliu zhvilloi një ndeshje solide ndaj Dinamos dhe protagonist në disa aksione të prishura nga ai që nisnin në kundërsulm Tiranën. Goli i Hasanit erdhi pikërisht nga një top të fituar të Deliut që nxorri Abazajn në zonë.
Albers Keko (Partizani) – Futet nga stoli dhe shënon një gol me vlerë 3 pikë. Nuk mund të thuash më shumë për sulmuesin e talentuar të Partizanit. Një gol thuajse identik me atë në derbi dhe i jep kështu sinjale të qarta drejtuesve dhe stafit teknik.
Denisson (Dinamo) – Në një Dinamo që kishte vështirësi në dalje, Denisson ishte rreziku i vetëm për Tiranën. Braziliani arriti të shënonte edhe golin e barazimit duke shmangur humbjen e rradhës për dinamovitët. Performancë e mirë e tij.
Vusal Isgandarli (Egnatia) – Egnatia tregon që nuk varet e gjitha nga këmbët e Dëamenas. Sulmuesit Paulaskas dhe Isgandarli kanë treguar që mund të bëjnë mjaft mirë edhe vetë teksa po shënojnë gola vendimtarë. Ndaj Skënderbeut, azeri i dha epërsinë rrogozhinasve të cilët dështuan ta ruanin në fundin e takimit. Paraqitje e Isgandarli ishte mjaft pozitive dhe me meritë bën pjesë në formacionin e javës.
Atdhe Rashiti (Kukësi) – Njëjtë si Keko, hyn nga stoli dhe shënon golin e 3 pikëve. Me futjen e tij në lojë, verilindorët marrin një marsh tjetër në sulm. Rrezik konstant dhe bezdisës për mbrojtësit e Vllaznisë dhe në fund shënon golin e fitores që konfirmon formën pozitive të Kukësit.
Trajner: Stavri Nica (Kukësi) – Kukësi i para disa javëve dhe ky i sotmi janë skuadra komplet ndryshe. Fanella dhe emrat e lojtarëve janë treguesit e vetëm që vërtetojnë se ky Kukës ëhtë i njëjti klub me atë të fillimit të sezonit. Nuk dihet çfarë ‘ilaçi’ u ka dhënë Nica lojtarëve, porn ë fushë po shohim një Kukës atraktiv që prodhon lojë, shënon gola dhe fiton ndeshje.