Duhet të luhet edhe sfida mes Partizanit dhe Teutës për të kompletuar javën e parë të “Abissnet Superiore”, por gjithësesi kjo sfidë është shtyrë në një afat të pacaktuar për shkak të pjesmarrjes së demave në Conference League.
4 takimet e zhvilluara kanë dhuruar spektakël e gola dhe kanë rikthyer emocionet e kampionatit shqiptar. Plot 16 gola janë shënuar në 4 duele tregojnë se sulmuesit e kanë nisur me “marshin” e 5-të sezonin e ri.
Newsport.al ka zgjedhur edhe formacionin më të mirë të javës së parë të kampionatit, ku kemi përzgjedhur 11-shen që bëri diferencën si dhe trajnerin e javës.
-FORMACIONI I JAVËS-
Marco Alia (Skënderbeu) : Gardiani i Skënderbeut është përzgjedhur në formacionin e javës. 23-vjeçari bëri një debutim fantastik me korçarët në Superiore. Alia ia doli që të mbante të kyçur portën ndaj Egnatias, e cila provoi disa herë për të gjetur rrugën e rrjetës. Portieri ia doli më së miri që të ndalte vrullin e Dwamenas dhe Fernandos.
Erlis Frashëri (Skënderbeu) : Frashëri është lojtari i radhës nga skuada e Skënderbeut që zë një vend në formacionin e javës së parë. Mbrojtësi ishte fantastik në markimin e sulmuesve të rrogozhinasve. Pavarësisht moshës, kapiteni ishte më aktivi në fushën e lojës, duke organizuar të tijët. Eksperienca bën të vetën dhe 35-vjeçari menaxhoi shumë mirë momentet kur skuadra kishte pasiguri.
Milos Stojanovic (Vllaznia): U largua nga Kastrioti dhe zuri menjëherë vendin e titullarit te Vllaznia. Mbrojtësi serb ishte një nga protagonistët në duelin ndaj Kukësit. 26-vjeçari shënoi golin e parë për shkodranët, duke i hapur rrugë kështu sukesit të kuqebluve. Pavarësisht gabimit që bëri në rastin e golit të barazimit nga La Torre, sërish mbrojtësi ishte solid në prapavijën e Vllaznisë. Debutoi në “Loro Boriçi” me gol e fitore dhe më mirë se kaq nuk mund të shkonte.
Marcos Ramos (Skënderbeu): Korçarët janë ekipi i vetëm i kësaj jave që mbyll një ndeshje me portën e paprekur falë edhe mbrojtësit brazilian. 24-vjeçari u bashkua këtë verë nga skuadra e Burrelit dhe bindi menjëherë trajnerin Gvozdenovic. Ndaj Egnatias kishte një detyrë të vështirë ku duhet të markonte një si Dwamena por fatmrësisht për bardhekuqtë, Ramos ishte në lartësinë e duhur.
Florian Përgjon (Tirana): Mes zërave të një largimi të mundshëm, Përgjoni në sfidën e mbrëmshme konfirmoi edhe një herë se më shumë se kurrë meriton të nisë një aventurë jashtë Shqipërie. Ndaj Dinamos ishte një “digë” në krahun e majtë të mbrojtjes, me Blutë që e kishin të vështirë të deportonin në anën e tij. Aftësitë e Përgjonit dihen, ndërsa bëri atë që di të bëjë më mirë, të ndihmojë skuadrën në të dyja fazët e lojës.
Ardit Hila (Tirana): Hila e nis këtë sezon aty ku e ka të kaluarin. Sezoni i ri për të nis me gol në derbi ndaj Dinamos dhe duket se mesfushori po shijon momentin më të mirë në karrierën e tij futbollistike. Në mesfushë është thjeshtë i “magjishëm”, ku çdo top fillimisht filtrohet nga këmbët e tij.
Sergio Ujka (Laçi) : Krah Hilës është përzgjedhur ujka. Mesfushori i Laçit ishte një nga më të mirët ndaj Erzenit, i cili shënoi edhe golin e 3-të për të tijtë, por fatkeqësisht kishte vlerën e 1 pike. Mesfusha ndaj shijakasve ishte pronë e tij dhe si i tillë organizonte lojën e kurbinasve. Ka saktësinë dhe klasin e duhur për të mbajtur mbi super bardhezinjtë në sezonin e ri.
Yuri Merlim (Skënderbeu) : Hyri si zëvendësues dhe gjeti golin. Një gol fantastik që i dha kështu skuadrës së tij 3 pikët në startin e Superiores. Një fitore ndaj një skuadre si Egnatia që pretention titullin, goli merr një tjetër vlerë. Debutim “ëndrrash” për brazilianin.
Esat Mala (Vllaznia): Rikthehet pas disa muajsh në fushën e blertë dhe dëmtimi tashmë ëhstë kaluar plotësisht. Ajo çfarë di të bëjë Mala të gjithë e dimë dhe prezenca e tij në 11-tëshen më të mirë të javës së parë nuk ëhstë e habitshme. Dëmtimi duket se nuk i ka ndalur marshin e lojës, i cili në fushë ndaj Kukësit gjendej kudo. Nuk ishte rastësi që goli i parë u gatua nga këmbët e tij.
Bekim Balaj (Vllaznia): Shiriti i kapitenit në krah i ka dhënë një tjetër rol në skuadër. përveç golave tashmë duhet të organizojë të tijtë dhe ndaj Kukësit ia doli më së miri. Tentoi disa herë të gjente golin, por do ta dërgonte në fund të rrjetës topin pas gjuajtjes së 11-të metërshit. Gjithësesi Balaj dukej më gati se kurrë që këtë sezon të arrinte te trofeu me shkodranëët, ndërsa një sinjal të qartë i dërgoi edhe Sylvinhos para sfidave të shtatorit.
Redon Mihana (Erzeni): U largua nga Egnatia dhe nisi një aventurë të re te Erzeni. Debutim më të mirë se ai ndaj Laçit nuk do të kishte parë as në ëndrat më të “çmendura”. Ndaj kurbinasve e nisi si titullarë sfidën dhe ia shpërbleu më së miri besimin trajnerit Alfred Deliallit. Sulmuesi gjeti dy herë rrugën e rrjetës në ndeshjen debutuese me shijakasit. Por jo vetëm kaq, ishte shumë aktiv duke ndihmuar ekipin në të gjitha minutat. Dopietë që i rriti vlerën vetës dhe në këtë sezon pritet shpërthimi i tij.
Trajner - Ivan Gvozdenovic (Skënderbeu): Gvozdenovic është trajneri i javës. Arriti që Skënderbeu të merrte një fitore ndaj Egnatias pretendente për titull. Një triumf i rëndësishëm duke ditur që vjen në transfertë dhe në këtë mënyrë organizon një ekip që nuk do të jetë thejshtë kalimtar në Superiore. Një rikthim i merituar për korçarët në elitën e futbollit shqiptarë. Gvozdenovic lexoi mirë lojën e kundërshtarëve dhe priti momentin e duhur për të siguruar 3 pikët.
[caption id="attachment_704580" align="alignnone" width="818"] Formacioni i javës 1-rë të Superiores, ©Newsport.al[/caption]