Diego Longo do të vijojë të jetë trajner i Flamurtarit. Edhe pse pati aludime të ndryshme për largimin e tij, italiani do të drejtojë vlonjatët deri në fund të sezonit. Ai ka marrë disa ditë leje në klub duke shfrytëzuar pauzën e shkurtër për të udhëtuar drejt shtetit fqinj.
Megjithatë sot pritet të jetë në Vlorë duke nisur menjëherë nga stërvitja për ndeshjen e radhës të kuqezinjve. Edhe pse verdikti është për dy ekipet që do të jenë në Superiore në edicionin e ri, në Vlorë janë të bindur se mund të vijnë në elitë përmes “Play-Off”.
Megjithëse kuqezinjtë ishin kompetitivë, në fund të sezonit Skënderbeu dhe Dinamo i lanë “targën”. Tanimë pritet të shihet se cili do të jetë rivali i vlonjatëve në ndeshjen e “Play-Off”, ku sigurisht interesi është i madh për të mësuar skuadrën që do të jetë pjesë e 10-shes për edicionin e ri.