
Kukësi do presë nesër në 16:00 Laçin në Elbasan Arena. Sfida e javës së 22 është një lloj finaleje për verilindorët, që me një fitore do afroheshin drejt zonës europiane. Përpara mediave, në pragndeshjen me kurbinasit, Josa ka vlerësuar këta të fundit, duke konfirmuar mungesën e Ibraimit.
"E vlerësojmë maksimalisht Laçin për atë që ka bërë deri më tani. Skuadra jonë dha njëfarë shkëndijë në Durrës pavarësisht se nuk fituam. U munduam të luajmë futboll të mirë si në sulm dhe në mbrojtje. Mungon Ibraimi, që është pezulluar me kartonë, pjesa tjetër është e gatshme.
Finalizimi? Nuk varet vetëm nga sulmuesit, por edhe nga mesfushorët, duhet të jemi më këmbëngulës në zonën e kundërshtarit. Laçi nuk luan ashpër, por luan fort futboll. Nga skuadra ime dua që të luajë mirë edhe kur nuk e ka topin në dispozicion.
Kush arrin më shpejt te topi, ka më shumë mundësi të fitojë ndeshjen. Vendi i tretë? Do mundohemi ndeshje pas ndeshje. Skuadra ka kapacitet, do vetëm ndryshim mentaliteti. Edhe në Durrës nuk shkuam për barazim. Në 10 minutat e fundit të dy skuadrat mund të fitonin, nuk ndodhi.
Edhe në këtë ndeshje barazimi ndihmon skuadrat e tjera. Për sa kam ardhur unë Ibraimi nuk ka luajtur numër 10, pavarësisht se e ka në shpinë. Ka luajtur sulmues dhe është shprehur mirë aty. Për mua çdo lojtar që e ka topin në zotërim është organizator i skuadrës", tha Josa.