Kombëtarja shqiptare mori 4 pikë nga dy përballjet e këtij muaji. Barazoi me Çekinë në Pragë, ndërsa mori një fitore spektakolare në “Air Albania” ndaj Polonisë. Reaultate të shkëlqyera për kuqezinjtë të cilët tashmë e shikojnë vetën gjithmonë e më afër kualifikimit në Euro 2024.
Të gjithë tifozët shqiptarë, madje edhe tek ai më i vogli duam kualifikimin e kombëtares shqiptare në Euro 2024. Duam të shijojmë edhe një herë emocionet e atij kualifikimi në Europianin e Francës, por më një ndryshim, këtë herë me një skuadër që jep më shumë shpresa.
Europiani i shumëdëshiruar vlen miliona dhe tashmë kuqezinjtë kanë edhe 3 finale drejt sprintit final. Sylvinho do të synojë të marrë maksimumin nga këto sfida dhe të na dërgojë në Gjermani. Një kualifikim i tillë përveç historisë dhe emocioneve do të dhurojë edhe miliona euro.
Janë plot 9.25 milionë euro që do të shkojnë në arkat e FSHF-së nëse Sylvinho na dërgon në Gjermani. Kjo shumë jepet nga UEFA për çdo skuadër që arrin fazën e grupeve. Në këtë mënyrë FSHF-ja do të mbushte arkat si rrallë herë më parë.
Shumat që fitojnë skuadrat nga kualifikimi në grupe deri te fituesi i Euro 2024:
9.25 milionë euro për cdo ekip që merr pjesë në grupe.
1.5 milionë euro për çdo fitore në grupe dhe 750 mijë euro vlen një barazim.
2 milionë euro për çdo skuadër që kalon në fazën e 1/16-tave.
3.25 milionë euro për çdo ekip që prek çerekfinalen.
5 milionë euro për çdo kombëtare që kualifikohet në gjysmëfinale.
7 milionë euro për finalistin që humbet
10 milionë euro për fituesin e Euro 2024.