
Egnatia do të presë Partizanin në “Egnatia Arena”, takim që do të luhet ditën e shtunë duke nisur që nga ora 14:00. Një ndeshje e cila është e vlefshme për javën e 13-të të Superiores dhe që vë përballë dy ekipet kryesuese të kampionatit.
Si rrogozhinasit ashtu edhe demat në këtë duel vijnë më pikë të barabarta, 26, me të kuqtë që kanë një sfidë më shumë për të zhvilluar. Skuadra e Edlir Tetovës tashmë është një nga ekipet pretendente për titullin dhe në fushën e vet do të kërkojnë vetëm 3 pikët përballë një rivali direkt si kryeqytetasit.
Ndërkohë nga krahu tjetër të besuarit e Arbër Abilaliaj janë ekipi i momentit në Superiore, teksa kanë siguruar 6 fitore rresht në kampionat, si asnjëherë më parë në epokën e Gaz Demit. E kur jemi vetëm 2 ditë përpara këtij dueli, shikojmë që statistikat flasin në “gjuhën” e kuqe.
Në 13 përballje mes tyre, 2 janë fituar nga Egnatia, 5 nga Partizani dhe 6 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Rrogozhinasit ia kanë dalë të çojnë topin në rrjetën e demave plot 13 herë, ndërsa nga krahu tjetër kryeqytetasit i kanë ndëshkuar 18 herë. Fitorja e fundit e Egnatias është më 18 shtator 2023 me shifrat 3-0, ndërsa e Partizanit më 20 gusht 2022 me shifrat 2-1.
Raphael Dwamena është lojtari më i shtrenjtë, i cili vlerësohet me 700 mijë euro, ndërsa pas tij vjen Arinaldo Rrapaj me 600 mijë euro. Po kapiteni i rrogozhinasve është golashënuesi i kampionatit me 9 gola në këtë sezon, ndërsa te kryeqytetasit është Bintsouka me 5 gola. Mbetet të shihet se për cilin nga ekipet do të thellohen këto statistika.