
Jon Mersinaj është një nga lojtarët e talentuar shqiptar. Qendërmbrojtësi është pjesë e Lokomotivës së Zagreb dhe aktivizohet në kampionatin kroat. Për miqësore e marsit, Mersinaj kishte marrë një ftesë nga trajneri Reja, ndërsa për “Fan Zone”, mbrojtësi u shpreh:
“Unë jetoj me Enis Çokaj dhe jemi stërvitur gjatë gjithë kohës pasi këtu nuk ka pasur shumë bllokim. Java e parë ka qenë pak e vështirë, por tani ja ku jemi dhe po stërvitemi. Te Laçi kam kaluar një ekpseriencë të mirë dhe ia ka vlejtur pasi nuk do të isha këtu tani. Duhet të luaj akoma këtu të kem më shumë minuta e pastaj të shikoj”.
Ofertë nga Partizani? “Po pse jo”.
Ftesa nga kombëtarja? “Nuk mendoj se luaj se ftesa në Kombëtare është që trajneri Reja të shikojë lojtarët e nuk kam asgjë më shumë se mbrojtësit e tjerë në Superligë”.
Sezoni? “Jemi të gjithë të bashkuar dhe nuk jemi të ndarë e kjo është një nga arsyet që jemi në këtë vend në klasifikim. Dje kemi nisur stërvitjen me grupë të plotë pasi prej 2 javësh jemi stërvitur të ndarë. Në 30 maj kemi ndeshjen e Kupës dhe në 6 qershor luajmë ndeshjen e parë.
Kampionati shqiptar është me shumë rivalitet dhe shumë i fortë e nuk ka shumë diferenca me kampionatin kroat. Isha shumë i kënaqur kur mora ftesë nga trajneri Reja dhe jam krenar. Idhulli im është Thiago Silva pasi e kam ndjekur që kur kam qenë më i vogël”.
E ardhmja? “Ëndrra ime të luaj në kampionatin gjerman dhe Milani ekipi i preferuar pse jo në të ardhmen”.
Gocat në Kroaci? “Goca të bukura ka, por janë më të mira shqiptare. Unë jam i fokusuar te futbolli dhe jam single”.