Flamurtari nuk arriti të rikthehej në Superiore teksa e mbylli kampionatin në vendin e 3-të dhe humbi ndaj Korabit në Play-Off. Vlonjatët mbeten në Kategorinë e Parë por kësaj rradhe pa kundërshtarë si Dinamo e Skënderbeu ndaj fitimi i titullit është detyrim.
Rival këtë sezon pritet të jetë Elbasani dhe gara duket se ka nisur e ashpër që në merkaton e verës. Verdheblutë deri tani u kanë ‘rrëmbyer’ plot 3 lojtarë këtë merkato. Armando Rami, Bedri Greca dhe Hektor Idrizaj ishin objektiva të trajnerit Çela por tani ata janë nën urdhërat e Nevil Dedes.
Kjo ka bërë që në Vlorë të thirret një mbledhje emergjente ku presidenti Idrizi dhe trajneri Çela kanë biseduar përballë për çështjen e merkatos. Kreu i klubit e ka siguruar teknikun se në merkato nuk duhet të kursehet te financat ndërsa duhet të vijojë të implementojë filozofinë e tij te lojtarët.