
Gerson Stojku nuk është më trajner i Luzit të Kavajës. Newsport.al bëri me dije ditën e sotme se presidenti Albert Lusha kishte vendosur ta largonte për të afruar në vendin e tij, Bledar Devollin. Gjirokastriti ka eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar dhe pritet të japë kontributin e vet për kavajasit.
Megjithatë largimi i Stojkut pas vetëm 2 seancash stërvitore, padyshim ishte surpriza e këtij sesioni merkato vere. Befasi në të dy rastet, kur u emërua, por edhe kur u shkarkua. Vetëm 26 vjeç dhe Gerson Stojkut iu besua drejtimi i Luzit të Kavajës.
Por çfarë ndodhi që presidenti mori këtë vendim? Burime të besueshme pranë klubit të Luzit bëjnë me dije për Newsport.al që shkak është bërë licenca që Stojku zotëronte. Ai është paraqitur sot në zyrën e Lushës duke i treguar se zotëron vetëm licencën UEFA B dhe jo A, siç e kërkon Kategoria e Parë. Në këto kushte, presidenti i ka dhënë duart duke ndërprerë bashkëpunimin ende pa nisur mirë. /Newsport.al/