
Është nga ata lojtarë që e njeh mirë kampionatin shqiptar. Ka kontribuar dhe shkëlqyer te Partizani. Me të kuqtë u duk si një “dashuri me shikim të parë”. Eneo Bitri, shtatlarti beratas i prapavijës rikthehet në prag të derbit të kryeqytetit me një intervistë enkas për Newsport.al.
Në Çeki po shkëlqen me skuadrën e Ostravës duke shënuar edhe gola me peshë. Ai të ardhmen e sheh në Europë, ndërsa ndalet te derbi i kryeqytetit. Jep prognozën e tij duke evidentuar të kuqtë si favoritë absolutë. Në fund parashikon rezultatin final.
- Eneo, jeni larguar nga Shqipëria, por vijoni të jeni koherent me ngjarjet në Tiranë. Si po shkon aventura juaj në Çeki?
Po, të them të drejtën shikoj çdo ndeshje të kampionatit shqiptar sa herë kam kohë. Jam duke kaluar një moment të mirë dhe ndihem mjaft i lumtur për këtë gjë.
- Tashmë jeni shndërruar në një lojtar të “frikshëm” për mbrojtësit kundërshtarë, teksa po shënoni thuajse rregullisht. A beson se kjo do të ndikojë për t’u katapultuar në një kampionat më të fortë?
Jam afër portës gjithmonë. Sa herë më jepet mundësia dhe i shfrytëzoj në maksimum rastet që më jepen. Po, deri tani me anë të menaxherit, di që ka interesim nga klube në Europë. Por, për këtë të presim verën.
- Ku beson se do të jetë e ardhmja juaj?
Besoj dhe e shoh veten në Europë për një kohë të gjatë. Por, le t’ia lëmë kohës këtë gjë.
- Kthehemi pak të flasim për atë që vëmendja jote nuk humb asnjëherë, Partizanin. Si i sheh të kuqtë pas largimit tënd?
Ka qenë një largim i papritur i orëve të fundit. Kam vendosur të largohem nga Partizani. Nuk zgjodha zemrën sepse zemra më thoshte të rrija. Por, mendova karrierën për të cilën kam sakrifikuar shumë. Mendoj që Partizani është duke krijuar vërtetë një themel të fortë në aspektin difensiv. Edhe Preka po arrin formën e tij duke iu bashkuar Telushi dhe Sotës, të cilët po bëjnë një kampionat të mirë.
Të mërkurën luhet derbi i kryeqytetit. E njihni mirë këtë sfidë. Cila është “receta” juaj për trajnerin Giovanni Colella?
Unë nuk kam arritur të shënoj në një ndeshje derbi, por e njoh mjaft mirë. E di si fitohet. Për trajnerin Colella nuk kam ndonjë recetë, pasi ai i ka fituar dy derbi dhe e di mirë si mund të dalë me 3 pikë.
- Cila skuadër mendon se do të triumfojë dhe pse?
Mendoj Partizani. Është një klub që di si fitohet derbi. Statistikat e tregojnë këtë gjë. Në këtë ndeshje Partizani ka në favor moralin dhe psikologjikisht janë shumë mirë. Besoj se do të dijnë si ta përballojnë më së miri.
- Veç mikut tuaj Telushi, kush besoni se do të shënojë?
Besoj se do të shënojnë Rrapaj, Da Silva dhe Mba.
- A mendon se Partizani do të arrijë te titulli kampion?
Për mendimin tim, nëse fiton derbin, Partizani del kampion.
- Tirana me shumë mungesa në këtë sfidë. Megjithatë si një mbrojtës me eksperiencë, cila është këshilla jote për prapavijën e kuqe?
Ç’është e vërteta në derbi mungesat nuk ndihen. Kush futet në fushë jep shpirtin nga të dyja skuadrat. Mendoj se Partizani duhet të ketë përqëndrimin maksimal në këtë ndeshje njësoj si herë e fundit. Dhe do të jetë akoma më e lehtë për të fituar.
- Rezultati?
Fiton Partizani 0-3! /Retin TOKA/