Flamurtari këtë sezon ka patur një start jo të mirë, teksa renditen në vendin e fundit të tabelës me 4 pikë. Ky është një nga sezonet më të dobta të vlonjatëve dhe kjo për shkak të problemeve të brendshme në klub. Teksa kanë kaluar 12 javë tashmë situata është tepër kritike dhe një dritë jeshile për zgjidhjen e problemeve në klub, nuk po e jep askush.
Për të mësuar më shumë mbi të ardhmen e klubit dhe zgjidhjen që mund t’i jepet Flamurtarit, “Newsport.al” ka kontaktuar administratorin e klubit Flamurtarit, Sinan Idrizin i cili ndodhet jashtë Shqipërisë. Në fjalën e tij Idrizi e ngriti problemin sërish tek ndarja e çështjes se kujt i takon Flamurtari, Bashkisë apo administratorit Idrizi? Një zgjidhje që sipas tij do ta jepte vetëm “ligji i sportit”, i cili duket ende larg për tu bërë. Për situatën e klubit administratori Sinan Idrizi premtoi se në këtë janar do të bënte një investim të fundit në merkato dhe nëse gjërat me futbollin në Shqipëri dhe situatën me Bashkinë nuk ndryshonin, atëherë ai do të mendonte largimin në fund të sezonit.
“Situata tek Flamurtari është jo e mirë. Kemi një situatë të çuditshme se nuk dimë ku të investojmë. Tani jam jashtë Shqipërisë, por jam në dijeni se është një projektligj që ka lidhje me sportin, kur të vijë do ta shikoj. Unë e përsëris duhet një ligj që rregullon gjithë marrëdhëniet”, u shpreh fillimisht Sinan Idrizi.
Situata tek Flamurtari dhe problematikat brenda klubit:
Për të ndërmarrë hapa të reja duhet të ndahet kush jam unë në këtë mes dhe kush është Bashkia. Në 6 vite që jam administrator i Flamurtarit, s’kam marrë asnjë fond publik nga Bashkia. Është investim i gjithi 100% i imi. Kur kam ardhur stadiumi i Vlorës s’ka pas tualete, ndërsa tani është nga një më të mirët. Unë dua të më qartësohet vendi im këtu. Momentalisht unë kam zero aksione, zero, në 6 milion euro investim. Tani unë kërkoj të sqarohet statusi im këtu. Nëse nuk ndodh shumë thjeshtë unë largohem me të mirat e të kqijat e mia, një falenderim dhe iki”, tha administratori Idrizi.
U shprehët se në janar do të ketë ndryshime. Priten emra në zë, ndonjë ish futbollist i Flamurtarit?
“Po në janar do të jemi në merkato. Janë ish futbollist të Flamurtarit dhe jo vetëm. Unë kam kontaktuar vetë me ata. Prisni dhe emrat do të dalin. Unë do të bëj dhe një investim të fundit. Në janar do të futemi në merkato dhe në fund të sezonit do të shikohet çdo gjë. Qëndroj ose jo”, u shpreh Sinan Idrizi.
Ka patur një takim tuajin me trajnerin Ilir Daja? Mund të na thoni çfarë u diskutua? Mos ndoshta ekziston mundësia për rikthimin e Dajës?
“Unë Ilir Dajën e kam mik. Nuk takohem një herë, por mund të takohem dhe 10 herë. Nuk ka asnjë lajm për rikthimin e tij në stol. Ka qenë takim miqësie”, përfundoi Sinan Idrizi.
//NEWSPORT.AL//