
Nesër, Partizani do të luajë kundër Tiranës në kuadër të javës së 15-të të Superiores. Emocionet e këtij takimi kanë mbërthyer kryeqytetin dhe si për t'i shtuar dozat ka menduar Franco Lerda. Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjne me dije për neësport.al që në nxehjen muskulare para sfidës, do të dalë edhe Aldo Teqja.
Gardiani i kampionëve do të jetë në fushë para takimit së bashku me Alban Hoxhën, duke kryer përgatitjet e zakonshme të çdo ndeshje. Një lajm fantastik ky për tifozët e kuq që do të kenë një arsye më shumë për të brohoritur në shkallët e "Air Albania Stadium". Teqja ka lënë pas gjithçka kaloi pas rënies nga kati i gjashtë i pallatit dhe tashmë është më i fortë se kurrë për të dhënë kontributin e tij për kampionët e Shqipërisë.
Prej disa muajsh, ai s'është përfshirë në skuadër, ndërsa në një ndeshje derbi ka vend edhe për surpriza, sigurisht të tilla kaq emocionuese. Derbin më të vështirë, atë të jetës, Aldo e fitoi. Nesër është dita të lumturohet dhe të shijojë duartrokitjet e mijëra tifozëve të pranishëm në impiantin e ri ngritur mes Tiranës. /Newsport.al/