
Skënder Gega duket se do të bëjë ndryshime rrënjësore te Kukësi. Jo vetëm formatim të përgjithshëm të skuadrës, por edhe në stafin teknik. Burime të besueshme pranë klubit kuksian bëjnë me dije për Newsport.al që i pari i larguar është Iris Selimi. Preparatori atletik, pjesë edhe e kombëtares shqiptare, ka ndërprerë bashkëpunimin me verilindorët pas emërimit të Gegës në krye të pankinës.
Sakaq të njëjtat burime tregojnë se Gega do të marrë si ndihmës të tij, Florian Ristanin dhe Oriand Abazajn. Të dy ishin pjesë e Dinamos në sezonin e fundit, kurse në edicionin e ri do të jenë përkrah Gegës për objektivat e klubit. Kujtojmë që me Florian Ristanin, trajneri tropojan ka punuar në vitin kur arriti titullin kampion pas 26 vitesh te Partizani.
Njeriu që stërvit portierët është krahu i djathtë i Gegës dhe ka udhëtuar me tropojanin edhe në aventurat e tij jashtë Shqipërisë. Tashmë priten me interes zhvillimet sa i përket futbollistëve që Kukësi do të afrojë, teksa Moraes është i radhës që do të prezantohet sot në zyrat e klubit. Objektivi madhor i verilindorëve do të jetë titulli kampion, mirëpo vetëm fusha e blertë do ta tregojë cilësinë reale të kuksianëve. /Newsport.al/