Nga Emanuel Loci
Skënder Gega u ngul në zemrën e çdo tifozi të Partizanit, kur ishte maji i vitit 2019. Titulli mungonte prej 26 viteve dhe ishte pikërisht Gega me skuadrën e tij, që e sollën sërish në familjen e kuqe.
Si ia dolën? Përballë rivalit të përjetshëm, Tiranës, në shtëpinë e tyre. Luhej më 12 maj ndeshja, që përfundoi 2 me 1 për të kuqtë dhe i kurorëzoi kampion. Skuadra e atij sezoni do fitonte tre derbi dhe barazonte një, duke i dhënë të tjera emocione pozitive tifozëve përveç titullit.
Skënder Gega ka folur për Newsport.al në prag të ndeshjes derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Ish-trajneri i të kuqve, tregoi për rëndësinë e derbit këtë të diel, teksa vlerësoi ecurinë e “Demave” deri tani. Në fund nuk la pa prekur dhe tifozërinë e Partizanit. Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë.
Derbi mes Partizanit dhe Tiranës, të dielën ora 19:00 në stadiumin "Air Albania". Më përshkruani pak emocionet që ndjeni ndërsa ditët afrohen.
Po derbi historikisht ka emocione të veçanta. Janë dy ekipe me histori sepse edhe lojtarët që janë në këto dy ekipe janë ndoshta më elitarë, por edhe dy tifozëritë më të mëdha. Secili derbi ka emocionet e veçanta mund të kesh zhgënjim, por edhe kënaqesi nëse fiton. Kjo është ndjesia që derbi të jep.
Kujtimet nga derbi Partizani – Tirana, për të cilat bëheni nostalgjik.
Kam shumë derbi si ish-lojtar, por edhe si trajner. Si trajner është përgjegjësi e madhe dhe do kesh të bësh me gjithë grupin e lojtarëve. Duhet ti manaxhosh me qetësi para dhe gjatë 90 minutave. Për fat derbi si trajner më kanë dhënë kënaqësi sepse kemi fituar 3 dhe barazim 1. Kjo i bën tifozët të lumtur. Nëse i humb derbit në përgjithësi krijohet një atmosferë jo e këndshme, por duhet t’i kalosh me qetësi.
(VIDEO PASI PARTIZANI U SHPALL KAMPION)
Si e shihni Partizanin pas 14 javëve kampionat?
Partizanin e shoh në rrugën e duhur deri tani. Ekipet në rënditje janë të ngjeshura dhe duhen vlerësuar të gjitha ndeshjet dhe jo vetëm derbi.
Tashmë në stolin e Partizanit është Abilaliaj. Çfarë mendimi keni për këtë lëvizje nga ana e klubit?
Lëvizjet në pankinën e çdo ekipi i shoh si shans të çdokujt që do të marr përsipër nje projekt dhe varet si e shfrytëzon këtë shans. Asnjëri nuk ka të drejtë të paragjykojë para kohe askënd. Të gjithë ëndërrojnë të kenë sukses.
Formulë e re e kampionatit. Sa mendoni ndikon te klubet para derbit?
Formula e pranuar nga klubet është përgjegjësia e tyre. Nëse klubet për arsyet e tyre mendojnë se është e duhura le ta shijojnë dhe ta respektojnë këtë formulë.
Parashikimi juaj për këtë ndeshje.
Nuk jam i mirë me parashikimet. Në futboll funksionon logjika, por duhet parë edhe problemet që mund të kenë. Varet si i menaxhojnë 90 minutat.
Do jeni prezent në stadium? Thirrja juaj për tifozët e tjerë të Partizanit.
Nuk jam tifoz dhe ndeshjet si trajner më bën ta shijoj më mirë nga televizori sepse dua ta shoh me qetësi dhe ta analizoj si trajner. Tifozët e Partizanit janë shumë të veçantë për mua. E di sa sakrifikojnë për ekipin në çdo moment dhe meritojnë respekt të veçantë. Të dyja tifozëritë i japin gjallëri kryeqytetit dhe e bëjnë më të bukur këtë ndeshje.
[caption id="attachment_714282" align="alignnone" width="300"] Skënder Gega teksa ishte trajner i Partizanit[/caption]