Ishte pjesë e Tiranës për dy sezone me radhë duke u shndërruar në titullar absolut për formacionin bardheblu. Olsi Teqja, lojtari "polivalient" mbylli aventurën e tij në këtë edicion që lamë pas për t'u transferuar në Tetovë, te skuadra e Shkëndijës. 29-vjeçari do të mbahet mend nga të gjithë tifozët e Tiranës për golin e shënuar në derbin e këtij viti kundër Partizanit.
Sot, Teqja është rikthyer duke u bërë nostalgjik për kohën e kaluar në Superiore dhe konkretisht në klubin e Tiranës. Përmes një interviste eksluzive për newsport.al, shtatlarti ka treguar për aventurën e tij në Maqedoni, ndërkohë që ka bërë edhe një analizë të kampionatit shqiptar, duke u ndalur më shumë te Tirana. Olsi nuk harron, madje në çdo fjali të tij, konteksti është i qartë: "Bardheblutë sa më shpejt në Superiore".
Intervistoi: Retin TOKA
- Jeni larguar nga Shqipëria prej 3 muajsh. Si ndiheni në Tetovë dhe si iu duket nga jashtë Superiorja?
Në Tetovë ndihem shumë mirë. Kryesojmë kampionatin, si dhe përjetuam emocione të mëdhë në Kupat e Europës. Edhe nga jashtë Superiorja më duket njësoj siç isha pjesë e saj. Një ligë e fortë dhe shumë e luftuar. Skuadrat kanë bërë investime të mëdha.
- Kur përmendim kampionatin shqiptar, sigurisht në fokusin tuaj është edhe ekipi juaj i zemrës, Tirana që këtë sezon luan në të Parën. Ç'mendon për skuadrën bardheblu?
Tirana më duket në rrugën e duhur. Unë besoj dhe uroj që në këtë sezon, ata do të ngjiten në Superiore.
- Së fundmi pati probleme me të riun, Dokën që u dënua duke u çuar në tribunë. Mendimi juaj për këtë?
Nuk jam në dijeni të kësaj çështjeje se jam larg dhe nuk kam shumë kontakte. Gjithsesi jam i mendimit që Doka është lojtar i talentuar. As atij dhe as klubit nuk i duhet të ketë një çështje mes tyre.
- Ze Maria ka thënë se Tirana e tij do të jetë me 100 kilometra në orë, por Kategoria e Parë ka rrugë me shumë gropa...
Ze Maria nuk e njeh mirë Kategorinë në të cilën luan. Megjithatë unë besoj se me lojtarët që ka në dispozicion, rruga drejt suksesit nuk do të jetë e vështirë. Janë futbollistë me karakter dhe sedër.
- A të bind realisht kjo Tiranë?
Tirana nuk duhet të diskutojë asnjë skuadër. Duhet ta sigurojë që në janar ngjitjen e pastaj të mendojë për sezonin pasardhës në Superiore. Gjithsesi s'duhet të neglizhojë as Kupën e Shqipërisë, pasi me kontigjentin që ka në dispozicion do të arrijë t'ia dalë.
- Në momentin më të vështirë të saj u larguat. Pse kjo zgjedhje?
Me thënë të drejtën në sport ka shumë faktorë për të marrë vendimin, si familjar, ekonomik etj, por që u largova për një skuadër jashtë Shqipërie e jo brenda Shqipërisë.
- Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?
Nga Shqipëria më mungojnë normalisht familjarët, së bashku me shoqërinë time.
- Diçka të fundit?
Për ta mbyllur i uroj Tiranës gjithë të mirat dhe ishalla ngrihet e bëhet sërish ajo superfuqi në Shqipëri. Edhe "Newsport"-it i uroj të rritet akoma më shumë dhe të vazhdojë me të njëjtat ritme.