Sindrit Guri mund të jetë një nga afrimet e verës në këtë merkato për Partizanin. Sulmuesi i njohur ka qenë disa herë në bisedime me të kuqtë, por në fund nuk është arritur një marrëveshje me të. Burime të besueshme për Newsport.al bëjnë me dije se ish-lojtari i Kukësit ka takuar para dy ditësh drejtorin sportiv, Elton Marini. Të dy miq prej kohësh, por në këtë periudhë hyrje-daljesh dhe tashmë Marini me post te Partizani, mund të sjellë transferimin e madh te 16 herë kampionët e Shqipërisë.
Për të mësuar më shumë, Newsport.al kontaktoi vetë futbollistin, i cili mohoi të ketë një akord, por e pranoi që ka takuar drejtorin e të kuqve. “Jo, nuk kam akord me Partizanin”, tha fillimisht ai. I pyetur më pas rreth takimit me Marinin, Guri u shpreh: “Po, e kam takuar. Por, nuk besoj se ka diçka të keqe të takosh miq që i njeh prej kohësh”, përfundoi shkurtimisht ai.
Megjithatë, të njëjtat burime tregojnë se ish-sulmuesi i Kukësit ka qenë objektiv dhe më parë. Por, për shkak të buxhetit të reduktuar dhe larg titullit kampion, drejtuesit ndryshuan kah duke i besuar Xhuliano Skukës. Tashmë me hapjen e merkatos së verës mund të ketë një rikthim të Gurit në Superiore. Ai pranoi takimin me Marinin, por mohoi arritjen e një akordi. Ndoshta “ku ka zë, s’është pa gjë”. Le të presim.
Sindrit Guri është një emër i njohur në kampionatin shqiptar. 28-vjeçari shkodran e mbylli sezonin me Shkëndijën e Tetovës duke arritur të realizojë 10 gola në 25 ndeshje. Në Shqipëri ka luajtur Vllazninë, Korabin, Besën e Kavajës si dhe ka shkëlqyer me Kukësin në sezonet 2016-2018. Pas 20 golave të realizuar me verilindorët në një edicion, bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar te Ostendë në Belgjikë. Por, atje nuk iu dha mundësia të tregonte vlerat e tij. /Retin TOKA/
